Historia njëvjeçare e Insajderit

... apo historia e një mediumi të ri me një staf të vogël në numër, por që la shenjë për të mirë në skenën mediale të Kosovës.

Historia njëvjeçare e Insajderit

Insajderi sot shënon ditëlindjen e parë. Për kaq pak kohë, është bërë një punë e madhe nga Insajderi. Kemi arritur që të fitojmë besueshmërinë e shumë lexuesve, e cila na jep motiv për të vazhduar tutje.

Një falënderim i veçantë në këtë ditë festive për Insajderin shkon për lexuesit, të cilët janë redaktorët vullnetarë të Insajderit dhe që vazhdojnë të na ndihmojnë, duke na përmirësuar nëpërmjet këshillave e sugjerimeve.

Por si ishte viti i parë i punës për ne?

Dy gjëra të veçanta e karakterizojnë historinë njëvjeçare të Insajderit.

E para: Është ecja në kahun e kundërt, në kohën kur disa media të pasura i nënshtrohen politikanëve për më shumë para. Ne nuk e bëmë atë, vazhduam së publikuari hulumtime për aferat e tyre.

E dyta: Është pasioni për punën. Përgjatë periudhës njëvjeçare, një staf i vogël në numër, duke punuar  në një zyrë diametralisht të kundërt me luksin, u angazhua me zell për të përmbushur misionin e gazetarit.

Brenda një viti Insajderi publikoi më shumë hulumtime në numër sesa mediumet që punojnë në hapësira gjigante luksoze.

Insajderi ishte mediumi më me ndikim gjatë vitit 2016.

E di që shumëkush mund ta kontestojë këtë, por, unë këtë konstatim mund ta mbrojë nëpërmjet argumenteve.

Gjatë rrugëtimit njëvjeçar, Insajderi  ishte mediumi më i cituar nga mediet prestigjioze ndërkombëtare.

Duke nisur nga arrestimi i priftit britanik në Pejë, raportimi për vëllanë e kryeministrit që kërkonte azil, raportimi ekskluziv për ngritjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, publikimi ekskluziv i përgjimeve të serisë “Dosja e Shefave” dhe shumë publikime tjera ekskluzive të Insajderit ishin pjesë e medieve të rëndësishme ndërkombëtare.

Raportimet e Insajderit u cituan nga New York Times, The Guardian, BBC, Le Monde, Asociated Press, Reuters e shumë media tjera me ndikim.

Përveç citimit nga mediet ndërkombëtare, raportimet e Insajderit bënë që pushtetarët të shfuqizojnë vendimet e tyre, të cilat ishin të dëmshme për qytetarët.

Fokusimin në gazetari hulumtuese e kemi bërë për shkak se vlera e një mediumi është ndikimi, jo sasia e rrëfimeve “pornografike”.

Duke injoruar në tërësi sasinë e publikimeve të rrëfimeve pornografike sikurse bënë disa prej “konkurrentëve” , me artikullin famoz “Kunata dhe vjehrra ishin të pangopura për…” që tregonte një histori për seks në treshe me to,  Insajderi gjatë tërë vitit të parë të funksionimit u fokusua në raportimin e hulumtimeve, të cilat kanë ndikimin në jetën e qytetarëve.

Një prej raportimeve që patën ndikim ishte hulumtimi ku ishte i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi.

E dashura e djalit të Gani Thaçit, Edona Ahmeti, e cila ishte emëruar më 11 gusht të vitit 2016 në pozitën e drejtoreshës për Karton të Gjelbër në Byronë Kosovare të Sigurimeve, kishte dhënë dorëheqje vetëm katër ditë pas raportimit nga Gazeta Online Insajderi.

Po ashtu, në muajin gusht të vitit 2016 ministrja Dhurata Hoxha shkarkoi këshilltarin politik të saj, Remzi Potokun, disa orë pas pranimit të pyetjeve nga Insajderi. Potoku mbante pozitë të lartë, përkundër akuzave për vepra penale që rëndonin mbi të.

Një tjetër raportim me ndikim ishte ai për portalin “Gazeta InfoPress”, të afërt me zv/ministrin e PDK-së, Rexhep Hotin, i cili publikoj një artikull fyes për bashkëshorten e deputetit të VV-së, Albin Kurtit.

Disa orë pas raportimit të Insajderit, ky portal kërkoj falje dhe e fshiu artikullin e publikuar.

Raportimet e Insajderit patën ndikim deri aty sa çuan në dorëheqje të njerëzve në postet kyçe publike. I tillë ishte rasti i Adem Grabovcit. Ai dha dorëheqje pas publikimit të serisë ekskluzive “Dosja e Shefave”.

Publikimi i serisë “Dosja e Shefave” është një prej shembujve pozitiv që tregon për guximin profesional të një mediumi.

Insajderi pati guxim profesional për ta botuar materialin e ndjeshëm të kësaj dosjeje. Disa media  në Kosovë, e që janë të kapura nga grupet kriminale të interesit, nuk do ta botonin këtë material, edhe nëse personalisht do t’ua jepja si “dhuratë” para se të publikohej në Insajder.

Ngjashëm, disa mediume do të vepronin edhe me materialin ekskluziv të “Dosja Grande”, ku janë të përfshirë shumë njerëz që kanë ndikim në kompani të mëdha, të cilat shpërndajnë shuma të mëdha të marketingut në media.

Pa marrë parasysh problemet që mund të dalin nga jetësimi i gazetarisë hulumtuese, Insajderi do të vazhdojë edhe në të ardhmen të ofrojë para lexuesve atë çka politikanët nuk kanë dëshirë të publikohet. Do të vazhdojë të jetë lider në bërjen e gazetarisë hulumtuese.

Ju faleminderit lexuesve për besimin.