Historia e “vrasjes në tentativë” të Mimoza Kusarit-Lilës

Rreth katër muaj hetime të drejtorisë së krimeve të rënda të Policisë së Kosovës nuk kishin arritur ta zbardhnin motivin se pse Mikel Qupi do të paguante 300 mijë euro për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Mimiza Kusari-Lila dhe 30 mijë euro për vrasjen e një pjesëtari të familjes Radi.

Historia e “vrasjes në tentativë” të Mimoza Kusarit-Lilës

Në dosjen hetimore të këtij rasti pretendoheshin dy vrasje të mbetura në tentativë. Aty thuhet se Mikel Qupi (1971) nga fshati Bishtazhin i Gjakovës dyshohej se gjatë muajit korrik të vitit 2015 në Gjakovë, është angazhuar dhe ka përgatitur dy vepra të rënda penale, vrasje e kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe siç thuhet një person tjetër të familjes Radi “me gjasë Prenk Radi”.

“Fillimisht ka kontraktuar dy shtetas të republikës së Shqipërisë, Gramoz Nokshiqi dhe Alberto Shiqerukaj. Fillimisht u ka premtuar të holla në kundërvlerë prej 300 mijë euro për vrasjen e Mimoza Kusari –Lilës, ndërsa për vrasjen e Prenk Radit u ka premtuar 30 mijë euro”, thuhej në kërkesën për paraburgim.

Prokuroria pretendonte se i dyshuari ka siguruar edhe armët për vrasje, përfshirë një snajper.

“Pas marrëveshjes dhe pranimit të këtyre dy të pandehurve për të cilët lidhur me këtë rast udhëhiqet procedurë e posaçme në Republikën e Shqipërisë u ka siguruar armatimin përkatës, armë zjarri, një pushkë snajper, një pistoletë dhe një sasi eksplozivi C4””, thuhet më tej aty.

Më 27 korrik të vitit 2015, Drejtoria për luftimin e krimeve të rënda në Prishtinë kishte dorëzuar një kërkesë për të lëshuar masat e fshehta të përgjimit ligjor për dy numra të telefonit mobil që i kishte Mikel Qupi, pas dyshimit se është duke përgatitur vrasjen e dy personave në Gjakovë.

“Siç shihet nga kërkesat e hetuesve të Policisë së Kosovës, i pandehuri Mikel Qupi për arsye gjerë më tani të panjohura ka gjetur dy persona nga Republika e Shqipërisë në mënyrë që me pagesë në vlerë prej 30.000,00 euro ta privojë nga jeta një person të familjes Radi dhe atë me gjasë Prenk Radi. Ndërsa, për ta privuar nga jeta kryetaren e Komunës së Gjakovës ka premtuar 300.000, 00 euro”, vazhdonte kërkesa e Prokurorisë për paraburgim.

Prokuroria pretendonte se për të kryer këtë akt kriminal, të dyshuarve nga Shqipëria u kishte ndihmuar në mënyrën më të mirë. Fillimisht, thuhej se i kishte njoftuar me viktimat, personalitetin, vendbanimin ku vepronin, etj.

Pastaj, sipas prokurorisë u kishte siguruar mjetet përkatëse me të cilat do të kryente vrasjet.

“Deri më tani, në bazë të informative që kemi nga shkresat e lëndës dyshohet se shtetasit shqiptarë, Gramoz Nokshiqi dhe Alberto Shiqerukaj kanë marrë porosi… nga i pandehuri Mikel Qupi me shtetësi të Kosovës, për të realizuar dy vrasje në qytetin e Gjakovës”.

Ndërkohë, Gramos Nokshiq pretendohet se është penduar dhe ka njoftuar Policinë e Shqipërisë. Sipas prokurorisë, ai ishte i gatshëm që të bashkëpunonte në “mënyrë që të pengohej ky aktivitet kriminal”.

Derisa rasti ishte nën hetime, vetë Mimoza Kusari – Lila kishte folur për këtë rast, duke ndikuar në hetime. Ajo ka thënë para asamblistëve të Gjakovës, se janë paguar vrasës nga Shqipëria për ta ekzekutuar.

“Janë paguar njerëz nga Shqipëria që të më ekzekutojnë. Pazari është kryer në Gjakovë”, ka thënë ajo.

Ajo përcillej nga njësia e mbrojtës së afërt e Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë ka thënë se nuk ka mundur të gjejë asnjë provë që vërteton versionin e Gramoz Nokshiqit nga fshati Llugaj i Tropojës, si autor i vrasjes së mbetur në tentativë.

Sipas Prokurorisë, nga ana e hetuesve të kësaj ngjarjeje, deri tani nuk është bërë e mundur të administrohet asnjë provë tjetër që të mbështesë pretendimet e Nokshiqit, përveç dëshmisë së tij të dhënë para prokurorit Gent Trenova. Nisur nga mungesa e provave, atentatori i supozuar është i lirë dhe ende nuk i është ofruar mbrojtje nga ana e autoriteteve shqiptare.

Gramoz Nokshiqi zbulon planin “për vrasjen e  Mimoza Kusari – Lilës”

Gramoz Nokshiqi pretendon se kishte kërkuar punë krahu, por i është ofruar vrasja e dy personave në këmbim të 330 mijë eurove. Këtë detyrë ka thënë se e ka refuzuar, ani se shuma e premtuar si kundërvlerë për këto dy vrasje ishte e majme. 30 mijë euro thotë se i ishin premtuar për vrasjen e një burri që nuk ia di emrin dhe 300 mijë euro për vrasjen e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

Për vrasjen e Prenk Radit të cilit nuk ia dinte emrin ka thënë se e kishte ruajtur disa ditë për ta vrarë, derisa për Mimoza Kusari – Lilën nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.

Shtetasi i Shqipërisë kishte bërë një kallëzim në Komisariatin e Tropojës ku ka rrëfyer “historinë e përgatitjes së këtyre dy vrasjeve” të mbetura në tentativë. Këto vrasje dyshohet se i ka paguar Mikel Qupi, një nëpunës civil nga një fshat i Gjakovës, i arrestuar disa ditë më parë.

Dëshmia e Gramoz Nokshiqit (1991) nga fshati Llugaj i Tropojës është dhënë në polici më 27 korrik 2015. Tregimi i tij pa pyetje të policisë nuk flet për ndonjë plan të mirëfilltë, por një krim amatorësh.

24-vjeçari kishte thënë se oferta i ishte bërë nga shtetasi i Shqipërisë, Ismet Sheqerukaj me të cilin pretendon se deri në Gjakovë, “në vendin e krimit” kanë ardhur me autostop. Gjithë rrugën pretendonte se shoferët kanë qëlluar nga Shqipëria. Gramozi, kishte thënë të ketë hyrë dhe ka dalë në Kosovë pa u regjistruar në pikën kufitare të Morinit.

Pretendonte se derisa ka ardhur në Kosovë nuk e kishte ditur se oferta do të ishte vrasja e dy njerëzve. E, kur e kishte marrë vesh, ka thënë se kishte provuar të tërhiqej, por për shkak të kërcënimeve me jetë të atij dhe familjes që, siç kishte thënë ia, kishte bërë porositësi i vrasjeve, Mikel Qupi kishte pranuar të bëhej pjesë e planit.

I riu nga Tropoja që ka vetëm tetë klasë shkollë dhe është i papunë, kishte thënë se kishte kërkuar ndihmë nga Ismet Shiqerukaj për t’ia gjetur një punë. Ai thotë se drejt Gjakovës ishte nisur për punë krahu, derisa gjatë një takimi në një kafene të këtij qyteti i ishte kërkuar që ta kryente vrasje.

“Më datën 11 ose 12 korrik 2015 kam ardhur nga bjeshka dhe e kam takuar Ismet Sheqerukajn në qytetin e Bajram Currit.., tek lokali i shtetasit Arben Brahaj. Në momentin që e kam takuar dhe kam biseduar me të, më ka thënë se ‘të kam gjetur punë boll’, biles punë krahu sa të dush”, kishte thënë dëshmitari.

Ai kishte thënë se prej kafenesë janë nisur drejt Kosovës. Kishte thënë se deri në Sopot kishin shkuar me Ardian Isufin nga fshati Markaj. Nga Sopoti deri në Qafë Morinë kishte thënë se kishin hipur në një makinë. Në kufi kishte thënë se kanë zbritur dhe kanë kaluar pikën kufitare.

“Jemi nisur në këmbë dhe gjatë rrugës ka ardhur me veturë një burrë nga fshati Viqidol i Tropojës i cili na ka marrë deri në Gjakovë. Në Gjakovë kemi shkuar tek një lokal i quajtur ‘Viva’ dhe shtetasi Ismet Sheqerukaj ka marrë në telefon një shtetas i cili quhej Mikel. Mbiemrin nuk ia di”, kishte deklaruar Gramoz Nokshiqi.

Mikel Qupin e kishte përshkruar si punëtor administrate “tek gjendja civile në Komunën e Gjakovës”. Në lokal kishte thënë se Mikel Qupi e kishte pyetur për familjarët, vëllezërit të cilët i kishte kërkuar në Facebook në laptopin që e kishte nxjerrë nga vetura BMW ngjyrë vishnje.

“Gjatë bisedës, Mikeli ka nxjerrë dy fotografi të shtetasve të Kosovës që ishin të veçanta. Në njërën fotografi ishte kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari dhe një burrë të cilit nuk ia di emrin por ia di shtëpinë, vendet ku ai pi kafe. Në këtë moment shtetasi Mikel më ka kërkuar që ti vras ata se bashku me Ismet Sheqerukaj. Për burrin e parë më ka premtuar shumën prej 30 mijë eurosh, ndërsa për kryetaren e Gjakovës, Mumoza Kusari 300 mijë euro. Unë nuk pranova duke ju thënë se nuk kam vrarë ndokënd asnjëherë dhe nuk i vras”, kishte thënë Gramoz Nokshiqi.

Dëshmitari kishte thënë se në momentin që kishte thënë se nuk pranon të kryej vrasje, Mikel Qupi ka nxjerrë fotografinë e djalit të tij nga Facebooku dhe i ka thënë se “edhe në bjeshkë familjen e di se ku e ke dhe po nuk e bërë këtë punë unë do të vras ty, gruan dhe djalin tënd”.

“I kam thënë Ismet Sheqerukaj ‘ti me preve në besë pasi më ke premtuar punë krahu dhe jo me vra. Ai në këtë moment më ka thënë se nuk ka problem, se e bëjmë bashkë. Ti e vret këtë të parin, burrin që ishte në fotografi. Ta tregoj shtëpinë, kafet ku ai pi. Me rujt e me vra ose në kafe ose tek shtëpia më C4 (eksploziv v.j.) o me snajper të cilat janë të gatshme”, ka shtuar dëshmitari. Ai pretendon se armët mbaheshin në pompën e benzinës së Mikel Qupit tek “Ura e Erenikut”. Kishte thënë se eksplozivi prej 400 gramësh ishte i lidhur me telefon samsung 400 gram.

“Në këto kushte unë kam pranuar dhe kam rënë dakord me Mikelin dhe Ismetin për të vrarë këtë burrin të parin dhe të dytën kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari pasi me kanë kërcënuar familjen dhe vetën time”, rrëfente ai.

Burri për të cilin flitet se do të vritej është i familjes Radi, me gjasë siç thoshte Prokuroria, Prenk Radi.

Dëshmitari kishte thënë se pas kësaj bisede ka shkuar me Mikelin dhe Ismet Sheqerukajn me makinën e Mikelit në pompën e karburantit. Aty kanë thënë se kanë marrë një snajper, eksplozivin C4, dhe një revole Zastava më  10 fishek të kalibrit 7.65 milimetra. Aty ka thënë se Mikeli ia ka dhënë çantën me eksploziv dhe i ka treguar se do ti vendosej në veturë kur ai të parkonte tek kafene Verona. Nëse dështon ta vendos eksplozivin ka thënë se ishte urdhëruar ta vriste me revole. Pretendon se e kishte ruajtur disa ditë, por ishte arsyetuar qëllimisht se “viktima e ardhshme” udhëtonte gjithmonë me vajzën, djalin apo gruan e tij.

“Ai më tha se në qoftë se nuk ki variant aty, mundesh me e marrë Ismetin me vete, pistoletën së bashku me C4 dhe me ardhë tek karburanti matanë urës së Erenikut. Më telefono me u taku tek karburanti se e marrim snajperin që është aty dhe unë ju çoj me ballë përballë shtëpisë së tij, futeni nëpër mal dhe shkoni tek shtëpia e tij”, pretendon Gramoz Nokshiqi. 24-vjeçari ka thënë se së bashku me Ismet Sheqerukajn kanë marrë snajperin me dylbi, pistoletën dhe eksplozivin nga hotel Jakova ku po flinin ata.

“Në ora 7 të mëngjesit dilnim prej Hotel Jakovës dhe vazhdonim për të vendosur C4 në makinën e këtij burrit. Makina e tij ishte Opel i kuq me targa RKS 07 214 AC. E kam pasur variantin për ta kryer krimin, por jam justifikuar duke thënë se është me vajzën, me djalë, me grua ose me persona tjerë me makinën e tij”, ka thënë ai. Ka treguar se Mikel Qupi i kishte propozuar që të shkonte në Shqipëri, të merrte një vajzë e cila do ta mashtronte viktimën për ta dërguar në ndonjë hotel me qëllim që të shkonte dhe ta vriste.

“Mikeli më ka dhënë 24 orë afat për të ardhur në Shqipëri dhe për të shkuar me femrën në Gjakovë. Më 25 korrik 2015 unë kam ardhur nga Gjakova dhe kam kaluar kufirin në Qafë Morin pa kallëzuar dokumentet dhe pa u regjistruar, por i kam thënë shoferit i cili quhej Arian Dervishi nga fshati Kasaj i Tropojës se duhet me kalu kufirin pa me regjistruar pasi jam në ndjekje”, ka thënë dëshmitari.

“Në Qafë Morinë kam kaluar dy pikat kufitare dhe nuk më kanë regjistruar. Pastaj kam ardhur në qytetin e Bajram Currit dhe jam paraqitur në komisariatin e Policisë në Tropojë për të bërë kallëzim dhe për të sqaruar rrethanat e sipërpërmendura të cilat janë të vërteta dhe mbajë përgjegjësi të plotë ligjore”.

Lirohet nga aktakuzat i akuzuari për tentim-vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës

Mikel Qupi është liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës. Ai akuzohej se kishte bërë plan ta vriste deputeten e Alternativës, Mimoza Kusari-Lilën dhe Prenk Radin.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, sot me 18 dhjetor 2017, LIROI nga të gjitha pikat e aktakuzës z. Mikel Qupi, i cili nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ishte akuzuar për tentimvrasjen e znj. Mimoza Kusari – Lila dhe z. Prenk Radi”, ka njoftuar avokati i tij, Besnik Berisha.

“Kjo aktakuzë ishte mbështetur tërësisht në një tregim të trilluar, nga një mercenar i vet deklaruar dhe mjerisht ishte besuar në tërësi edhe nga Prokuroria, e cila dështoi për të provuar, gjë që kishte shkruar e pretenduar”, ka shtuar avokati.