Historia e iranianit që akuzohet për financim të terrorizmit në Kosovë

Historia e iranianit që akuzohet për financim të terrorizmit në Kosovë

Pas mbylljes së Organizatave joqeveritare (OJQ) me prirje islamike të lidhura me Republikën Islamike të Iranit në Kosovë, Prokuroria Speciale e Kosovës pas një hetimi të gjatë ka akuzuar për shpëlarje parash e financim terrorizmi në Kosovë personin që qëndron prapa këtyre OJQ”ve.

Ai është iraniani Hasan Azari Bejandi.

Historia e tij nis në Prizren, aty ku bashkë me qiftin Huduti, hoxhaneshën Ikballe Berisha-Huduti dhe burrin e saj, biznesmenin Asllan Huduti nisën aktivitetet me OJQ’në “Kur’ani”, që megjithëse i përket sekti “shiit” të Islamit kishte mbajtur me aktivitete lidhje të fuqishme me “sunnitë” në Kosovë, përfshirë edhe drejtues të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), raporton Express.

Azari lidhet edhe me Institutin për Shkencat Humane “Ibni Sina” që deklarohet si një “organ i pavarur që kryen veprimtari në lëmit e arsimit, kërkimit shkencor, studimeve filozofike, studime në fushën e kulturës dhe civilizimit islam dhe oriental dhe veçanërisht, iranologjinë, gjuhën dhe literaturën perse.

Ky institut u regjistrua si OJQ me numër 51139089 në Ministrinë e Administratës Publike. Drejtor Ekzekutiv është Abdullah Rexhepi, ndërsa themelues është Hasan Azari, për të cilin Prokuroria kosovare të hënën ka ngritur aktakuzë ku e ngarkon  me katër vepra penale nga Ligji për Parandalimin e pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit.

Në një komunikatë për media nga Prokuroria, thuhet se “sipas aktakuzës, gjatë vitit 2014 dhe 2015, në xhirollogarinë e OJQ-ës “Kur’ani” drejtor i së cilës është i akuzuari Hasan Azari , janë deponuar donacione në shuma të ndryshme të parave, për të cilat nuk ka kërkuar lejim të pranimit të tyre nga Njësia për Inteligjencë Financiare, siç kërkohet sipas ligjit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hazari  nuk i ka ruajtur të gjitha llogaritë, të cilat dëshmojnë të ardhurat dhe shpenzimet e organizatës. Nga viti 2005 deri në gusht 2015 ka pranuar donacione në shumën mbi 579 mijë euro, përderisa tërheqjet janë në shumë prej mbi 871 mijë euro.

Prokuroria Speciale në aktakuzë, ka kërkuar nga Gjykata që të akuzuarin të shpallë fajtor për kryerjen e veprave penale, si dhe të shqiptohet dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, konfiskimi i shumës prej 30.000,00 €, si dhe dëbimi i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës.

Para kësaj aktakuze, e pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë Qeveria e Kosovës pati nxjerr vendimet për pezullimin e aktivitetit të pesë Organizatave Joqeveritare (OJQ) islamike.

Kështu, Ministria e Administratës Publike në fund të muajit qershor ka vendosur që të pezulloj nga puna OJQ’të “Kur’ani”, “NISA”, Institutin “Ibn Sina”,  Shoqatën e Shërbimeve Edukative “Bregu i Diellit” dhe shoqatën “Ehli Bejt-Prizren”.

Këto OJQ që në themelim e drejtim në mes vete lidhen me shtetasen kosovare, Ikballe Huduti Berisha dhe një iranian, Hasan Azari Bejandi janë mbyllur nga Qeveria kosovare nën dyshimin për ushtrim të aktiviteteve që bien ndesh me rendin kushtetues në Kosovë.

Për këto OJQ që janë nën hetime të Prokurorisë Speciale Gazeta Express kishte raportuar në fund të shkurtit të viti 2015 duke zbuluar lidhjet e tyre me shtetin islamik të Iranit, që me shumicë i përket sektit “shiit” të myslimanë- sekti i dytë më i madh i islamit pas atij të “sunijëve” dhe gjetjet e Express zbulonin se këto OJQ edhe përhapnin tek të rinjtë ide kundër botës perëndimore, në veçanti Amerikës, por edhe ide anti-semite, kundër Izraelit. Irani konsiderohet të mbetet njëri nga armiqtë më të mëdhenjtë të Izraelit në atë regjion./Insajderic.om