Hetuesia interviston fqinjët e dikurshëm të ministrit Nenad Rikalo

Hetuesia interviston fqinjët e dikurshëm të ministrit Nenad Rikalo

Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar Policinë e Kosovës që t’i intervistojë banorët shqiptarë të një ndërtese në Prishtinë të cilët po pretendojnë se janë torturuar nga ministri i sapoemëruar i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikalo.

Lajmin për intervistimin e banorëve, fqinj të dikurshëm të Rikalos, e konfirmoi për BIRN kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

“E kemi autorizuar policinë që t’i intervistojë banorët. Intervistimet janë bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale”, tha Millaku.

Javën e kaluar, disa banorë të një ndërtese kolektive në lagjen “Dardania” në Prishtinë i kanë thënë KTV-së se gjatë viteve 1990 janë torturuar nga Nenad Rikalo. Akuzat erdhën pak ditë pasi kryeministri Ramush Haradinaj e emëroi Rikalon në kabinetin e tij në postin e Ministrit të Bujqësisë.

Banorët shqiptarë pretendojnë se e kanë parë Rikalon të uniformuar

Festim Beqiri, një nga banorët e kësaj ndërtese, tha se i ka përjetuar dy herë torturat e Rikalos dy herë dhe se Rikalo i kishte drejtuar armën babait të tij tashmë të ndjerë.

Akuzat kanë zgjuar reagime të shumta nga politika dhe shoqëria në Kosovë.

Vetë Rikalo i ka mohuar ato akuza përderisa dy partitë opozitare, VV e LDK, kanë kërkuar nga prokuroria nisjen e hetimeve ndërsa nga Ramush Haradinaj shkarkimin e ministrit të tij.

Por Haradinaj, në një deklaratë të lëshuar javën e kaluar, e mbrojti ministrin Rikalo duke thënë se kishte kërkuar nga Prokuroria, AKI dhe Policia informata rreth akuzave të qytetarëve por këto institucione nuk kishin pasur informacione që ai mund të jetë i përfshirë në veprime të tilla.