Policia britanike lajmëroi se 7 nga 11 personat e arrestuar në lidhje me sulmin në parlament u liruan dhe ndaj tyre nuk do të ketë asnjë veprim tjetër.

Hetimi për sulmin në Londër, lirohen disa të dyshuar

Hetimi për sulmin në Londër, lirohen disa të dyshuar

Policia britanike lajmëroi se 7 nga 11 personat e arrestuar në lidhje me sulmin në parlament u liruan dhe ndaj tyre nuk do të ketë asnjë veprim tjetër.

Autoritetet thanë se dy meshkuj mbahen ende në paraburgim dhe po merren në pyetje, ndërsa dy femra janë liruar me kusht.

Policia britanike po përpiqet që të sigurohet që Khklaid Massod veproi i vetëm, siç është bindja e përgjithshme, apo nëse kishte bashkëpunëtorë. Hetuesit gjithashtu janë përqendruar në një detaj që cilësohet mjaft me interes: a përdori Massod aplikacionin Whatsapp pak çaste para se të shtypte kalimtarët me makinën e tij në urën Westminster.

Ka raporte se ai dërgoi mesazhe me këtë aplikacion vetëm 2 minuta para sulmit. Hetuesit, veç marrjeve në pyetje të disa personave, gjithashtu kanë sekuestruar 2 700 sende nga 21 adresa, përfshirë një sasi masive të dhënash kompjuterike.

Policia britanike bëri me dije se qëllimi i kësaj përpjekje kolosale është të zbulojë nëse Masood veproi i vetëm i frymëzuar nga propaganda terroriste, apo nëse të tjerë e nxitën, mbështetën ose drejtuan.

Khalid Masood vrau tre persona me makinën e tij dhe më pas theri për vdekje një oficer policie në derën e Parlamenti, para se të eliminohej fizikisht nga agjentët e tjerë. Zyrtarë të policisë thanë se do të punojnë me autoritetet e Parlamentit për të vlerësuar nëse duhen ndryshuar rregullat e sigurisë.

Oficeri Keith Palmer pagoi me jetën e tij faktin që ishte pjesë e grupit të paarmatosur të sigurisë së parlamentit dhe të paktën familja e tij, por edhe të tjerët, duhen të sigurohet se kjo do të rishikohet.