Helmohen 50 persona, tre në gjendje të rëndë

Helmohen 50 persona, tre në gjendje të rëndë

Një aheng familjar është shndërruar në fatkeqësi për familjen Mehmeti nga fshati Bibaj të Ferizajt.

50 të pranishëm janë helmuar, prej të cilëve një grua 24-vjeçare dhe dy fëmijë janë në gjendje të rëndë.

Ata nuk e dinë saktë se nga u sëmurën, por mjekët dyshojnë se kjo ka ndodhur nga konsumimi i produkteve me bazë shtazore.

Një grua 24-vjeçare nga Ferizaj është në rrezik për jetë. Ajo dhe 50 të tjerë dyshohet se u helmuan të premten gjatë një ahengu familjar të mbajtur në fshatin Bibaj në Ferizaj.

Familja Mehmeti  thotë se ahengu gjatë ditës ishte në një restorant, kurse në mbrëmje   vazhdoi në shtëpi.

Për këtë arsye, ata nuk janë të sigurt se ku u helmuan. Kështu, anëtarët e kësaj familjeje, u desh të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive në QKUK.

Bazuar në analizat laboratorike, mjekët thonë se helmimi ka ndodhur nga konsumimi i produkteve shtazore, njofton RTK.

Sipas familjarëve, pacientë të tjerë ka të shtrirë edhe në spitalin rajonal të Ferizajt, kurse disa në gjendje më të lehtë po trajtohen në shtëpi. Për këtë rast është njoftuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët janë duke hetuar rastin.