Haziri thotë se Mustafa po punon derisa Veseli po bënë ture dëgjimi

Haziri thotë se Mustafa po punon derisa Veseli po bënë ture dëgjimi

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se partitë e koalicionit qeverisës kanë zbatuar pikat për të cilat janë dakorduar kur kanë nënshkruar koalicionin dhe se deri më tani nuk ka pasur ndonjë parim që i ka dalluar apo krijuar problem.

Sipas tij, marrëveshje e demarkacionit e cila nuk po mundet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në programin qeverisës të këtyre dy partive porse është paraqitur si problem më vonë.

Por,  duke folur në një intervistë për RTK-në, Haziri ka thënë se është e domosdoshme “komunikimi mes partnerëve të rishikohet.”

Haziri ka insistuar se Kuvendi i Kosovës “mund të përballet” me çështje si demarkacioni dhe se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje sa herë lindin probleme apo ngërçe politike.

I pyetur lidhur me një deklaratë të deputetit të PDK-së, Rexhep Hoti, se vendi pashmangshëm duhet të shkojë në zgjedhje, Haziri ka thënë se LDK nuk do të marrë ndonjë veprim të njëanshëm për këtë çështje dhe në një mënyrë ka lënë të nënkuptohet se një gjë të tillë është duke e bërë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“Kryetari i Kuvendit, pas konventës së partisë së tij e ka të programuar një fushatë partiake për dallim prej LDK. Kryetari i LDK-së është i  fokusuar në punë të qeverisë, përveç pjesëmarrjes së tij në përvjetore. Nuk ka asnjë lloj angazhimi tjetër qoftë dëgjime a ture politike, vizita partiake, a gjithçka tjetër që lidhet me një tendencë të për të bërë fushatë”, ka thënë Haziri./Insajderi.com