Haziri: Partitë rivale premtuan njerëz të rinj, po garojnë me kandidatë më të vjetër se unë

Haziri: Partitë rivale premtuan njerëz të rinj, po garojnë me kandidatë më të vjetër se unë

Lutfi Haziri është nominuar sot zyrtarisht kandidat për kryetar të Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai synon ta udhëheqë Gjilanin edhe katër vjet të tjerë. Kundërkandidatëve të tij ua ka përcjellë disa fjalë.

“Pas mbajtjes së konventave programore të Forumit të Gruas, Forumit të Rinisë, nëndegëve, grupit të këshilltarëve e komisioneve të degës të hënën, sot Lutfi Haziri, nënkryetar në nivel qendror i LDK-së, ka marrë mbeshtetje të fuqishme në tubimin madhështor të degës së kësaj partie në Gjilan, për t’i prirë Komunës edhe në katër vitet e ardhshme”, bën të ditur LDK nëpërmjet një njoftimi.

Para strukturave të LDK’së, Haziri ka shprehur falënderim për përkrahjen, ndërkaq për kundërkadidatët përcolli disa mesazhe.

“Dy partitë rivale në Gjilan dalin me kandidatura ‘herë unë e herë baci’ sepse janë parti të kusherinjve, të djemve të axhës. Kjo logjikë kurrë nuk ka pasur vend në LDK sepse ne jemi parti e vlerave dhe e konkurrencës, e jo e familjarizmit. Ata paralajmëruan befasi duke aluduar në njerëz të rinjë, por paraqitën kandidatura që janë më të vjetër se unë në moshë. Nga kjo sallë, unë rivalëve iu ofroj ndershmëri politike, por qysh ta lypin, kemi me ua kthy”, citohet të ketë thënë Haziri.

Haziri tha se LDK e ka për bazë besimin në Zot, familje e atdhe, duke thënë se dëshiron që familjen gjilanase ta bëjë sinonim të familjes së mirë në shtet.

Haziri ka folur para të pranishmëve edhe për atë se si e ka gjetur Komunën e Gjilanit me të marrë mandatin.

“Besoni ose jo, Komuna ka qenë si ‘shitore e thyer’. Me borxhe mbi 9 milionë, me buxhet për investime për gjynah, pa asnjë investitor. Ne kemi arritur t’i shlyejmë shumicën e borxheve, kemi krijuar disiplinë bixhetore dhe kemi funksionuar me ‘dietë të ashpër në shpenzime. Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi e kemi kthyer kujdesin e Prishtinës, Tiranës e qendrave të mëdha europiane, duke lidhur partneritete në investime për projekte multimilionëshe”, ka thënë Haziri.

Duke përmendur investimet e mëdha në bujqësi, arsim, shëndetësi, infrastrukturë e resorë tjerë, Haziri tha se LDK ia ka kthyer dinjitetin qytetarëve të Gjilanit. Ai tha se është shumë i rëndëshëm fakti që ka pasur barazi sa i përket invetimeve në qytet dhe fshatra.

“Fillimisht, po ju them se me subvencionet për bujqësi, i kemi forcuar familjet bujqësore gjilanase. Ndërsa, sa i përket programit të katërshes infrastrukturore, jemi tashmë në përfundim. Po ashtu, lumi “Mirusha” në konsultim me banorët po përfundohet dhe po bëhet një shetitore e mirë, ndërsa shumë shpejt fillojmë me ndërtimin e shtratit të “Stanishorkës”. Hyrje-dalja Gjilan-Bujanoc është përfunduar, është duke u punuar ajo Gjilan-Ferizaj, ndërsa ajo Gjilan-Prishtinë do të nis shumë shpejt. Dhe në fund, është Autostrada Gjilan-Prishtinë, ku brenda pak javësh do të shpallen punimet. Këto janë veç projekte kryesore, duke mos i përmendur qindra projekte të tjera”, tha Haziri.

Nënkryetari i LDK-së ka shfaqur besimin se gjilanasit do t’i ofrojnë mbështetje plebishitare për t’i vazhduar, siç ka thënë ai, punët e hairit.