Haziri: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në

Haziri: Nuk bëjmë koalicion me PDK-në

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ka folur edhe për mundësitë e koalicioneve paszgjedhore.

Ai ka thënë se LDK nuk do të ketë asesi një koalicion me PDK-në.

“LDK ka takuar partnerët e koalicionit, jemi duke pritur rezultatin e kandidatëve, me të vetmit që nuk hyjmë në koalicion janë koalicioni i PDK-së, këtë e kemi bërë të ditur menjëherë pas rrëzimit të Qeverisë”, ka thënë ai.

“Me LDK-në nuk kanë çfarë diskutojnë për këtë”, ka shtuar ai.

Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se rregullat e njëjta vlejnë edhe për AAK-në që është në koalicion me PDK-në.

“Haradinaj përderisa është në koalicion të PDK-së ka rregullat e njëjta”, ka deklaruar Haziri.

“AAK nuk mund të largohet nga ky koalicion, marrëveshja me partnerë është e kushtëzuar edhe në zgjedhjet lokale”, thotë ai, njofton Klan Kosova.

“Nëse marrëveshjet politike shkelen atëherë askush askujt nuk i beson askujt. Ata kanë një marrëveshje politike, për dy nivele, nivel qendror dhe lokal, kjo është marrëveshja që e ka rrëzuar Veselin për postin për kryeministër”.