Haziri beson se AKR-ja nuk do të lëvizë nga koalicioni me 24 gusht

19.08.2017 17:39
Haziri beson se AKR-ja nuk do të lëvizë nga koalicioni me 24 gusht

Njëri prej udhëheqësve kryesor të LDK-së, Lufti Haziri, beson se Behgjet Pacolli nuk do të kalojë në krahun e PAN-it për të formuar Qeverinë e Kosovës. Po thotë se AKR-ja ende ka çka të japë në koalicionin e ndërtuar para zgjedhjeve.

Ai thotë se Pacolli dhe AKR duhet të presin dështimin e PAN-it për t’i ardhur rendi LDK-së bashkë me Vetëvendosjen për ndërtimin e Qeverisë.

Në një intervistë për Express, Haziri nuk e ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes sërish në zgjedhje për shkak të bllokadave politike. I ka bërë thirrje PAN-it të shkojë në seancë dhe të japë propozimin për Kryetar të Parlamentit.

“Në fakt, unë, besoj shumë që AKR-ja si parti politike dhe partner i koalicionit me LDK-në dhe Alternativën ende është duke e ruajtur qëllimin e ndërtimit të koalicionit të Kosovës për me pru shpresë për ndryshim në këtë vend. Kushtetuta na e ka dhënë mundësinë që herën e dytë të ndërtojmë institucionet e shtetit”.

“Nuk po pres që më 24 gusht AKR të bëjë lëvizje politike radikale sa i përket ndryshimit të qëllimeve  dhe misionit politik që e ka edhe më tutje në kuadër të koalicionit që ka me LDK-në”, ka thënë ai.

Ai më tutje ka thënë se beson se marrëveshja e arritur mes AKR-së dhe LDK-së nuk do të ndryshojë me 24 gusht.

“E di që ky qëllim nuk do të ndryshohet dhe nuk besoj që kjo marrëveshje strategjike  në mes të LDK-së dhe AKR-së mund të ndryshojë me datë 24. Dhe në fund të ditës krejt këto procese politike secili ka të drejtë t’i vlerësojë vetë. Por, unë besoj që edhe më tutje  qëllimi dhe përmbajtja është  e njëjta sa i përket LDK-AKR-Alternativa”, ka thënë Haziri.