Haxhiu: Policia të trimërohet para Grabovcit, jo para aktivistëve paqësorë

Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, përmes një konference për shtyp ka folur në lidhje me suspendimin e tre policëve të cilët nuk e ndalën për kontroll Adem Grabovcin, teksa ky shkonte në Prokurori për t’u intervistuar.

Haxhiu: Policia të trimërohet para Grabovcit, jo para aktivistëve paqësorë

Haxhiu ka sjellë në kujtesë rastin kur djemtë e Grabovcit kanë rrahur policin Avni Selaci, pasi ky i fundit i kishte ndaluar në komunikacion për shkelje të rregullave, e për të cilin rast ajo thotë se Ngadhnjim e Guxim Grabovci janë dënuar vetëm me të holla.

“Adem Grabovci shënoi edhe një rast në Policinë e Kosovës. Ai e dëshmoi se, jo vetëm se e ka dëmtuar imazhin, por edhe funksionimin e këtij institucioni. Pas skandalit të pashoq, ku djemtë e tij, në formën e kapadaive kishin rrahur policin Avni Selaci, vetëm pse i kishte ndaluar ata, tre policë të tjerë ia panë sherrin Grabovcit. Ata u suspenduan sepse nuk e ndalën shefin e shefave. Si mund ta ndalonin ata babën, kur djemtë për të njëjtin veprim i kishin rrahur policët?”, deklaroi Haxhiu.

Ajo shtoi se veprimi i djeshëm i policëve është dëshmia më e mirë se si kapja e shtetit ka pasoja afatgjate.

“Edhe sa policë duhet të dëmtohen që të gjykohet Ademi, Ngadhnjim e Guxim dhe anëtarët e klanit Pronto? Edhe sa policë duhet të dënohen që të trimërohet Policia e Kosovës para klanit Pronto? Sa policë duhet të përbuzen që ta marrin guximin – njëjtë si tek shtëpia e Dardan Molliqajt – të pyesin për armët në shtëpinë e Grabovcit?”, u shpreh deputetja Haxhiu.

Madje ajo rikujtoi edhe rastin e plagosjes së gruas së Grabovcit me armë, për çfarë nuk u bastis asnjëherë shtëpia e tij, siç ndodhi me shtëpitë e aktivistëve të Vetëvendosjes, siç ka thënë ajo, pa pasur asnjë provë.

Haxhiu gjithashtu ka përmendur rastin kur ishte gjuajtur me armë nga selia e PDK-së, dhe sipas saj, personi që e kishte bërë këtë, u dorëzua vetëm pas presionit publik, të cilin ajo e ka cilësuar si pjesë në vëllazërinë “Pronto”.

“Tallja e Grabovcit me institucione duhet të mbarojë. Ky është shkatërrimi i vërtetë i institucioneve. Ironia e tij me gjykatësit, është arrogancë. Kjo është e patolerueshme”, përfundoi fjalën e saj deputetja./Insajderi.com