Haxhiu: Përpos dhunës policore jam dhunuar edhe nga media

Haxhiu: Përpos dhunës policore jam dhunuar edhe nga media

Një ditë pasi u lirua nga Qendra Klinike Universitare, deputetja e cila po qëndron në arrest shtëpiak ka shkruar edhe për përvojën e keqe me një media.

Hashiu thotë se përpos dhunës policore ajo është dhunuar edhe nga raportimet në disa media.

“Dhunimi mediatik i personalitetit të cilitdo qytetar, veçanërisht të gruas në një shoqëri me tipare kulturore konservative e patriarkale, unë mendoj se është i barabartë me dhunimin fizik, dhe është krim”, ka shkruar Haxhiu, duke paralajmëruar padi për median që ka publikuar e më pas ka kërkuar falje për lajmin përmes së cilit aludonte se ndaj deputetës është bërë një ekzaminim detajues në trup.

Ajo ka falënderuar stafin mjekësor por nuk ka lënë pa sulmuar ashpër sjelljen e policisë që sipas saj e kanë dhunuar integritetin e saj.

“Një dhunë e tillë policore në premisa të spitalit është e papranueshme prej çdo kodi etik të klinikës, por edhe prej ligjeve në fuqi”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu përmes këtij postimi në Facebook ka folur edhe për zhvillimet e fundit në vend. Ajo ka theksuar se beteja e opozitës është për një Kosovë më të mirë.

“E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të bindjeve dhe angazhimit tonë politik. Fatkeqësisht, jetojmë në një vend ku krimi e korrupsioni janë të paprekshëm, dhe mund të përdorin kanale të caktuara policore e mediatike për të shtypur e për të shantazhuar opozitarët apo çdo qytetar që nuk është i lidhur me pushtetin”, ka shkruar Haxhiu.