Haxhiu: Jam në banesë, nuk paraqitem në seancë

Haxhiu: Jam në banesë, nuk paraqitem në seancë

Derisa Policia e Kosovës po kërkon deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ndaj të cilit  Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër që të sillet me detyrim në seancën e sotme, deputetja tjetër e VV-së, Albulena Haxhiu që duhet të paraqitet për të njëjtin rast, është në banesën e saj.

Ajo konfirmoi për Periskopin se nuk e ka ndërmend të paraqitet në gjyaktë, përkundër se ishte paraqitur disa herë për këtë rast.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli janë thirrur që të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu tha se nuk do të shkojë më në këtë gjykatë për shkak se këtë rast e udhëheq i njëjti gjykatës (Beqir Kalludra), i cili ka dënuar katër aktivistët e VV-së për sulmin ndaj Kuvendi të Kosovës, dënim të cilin VV e konsideron politik.

“Unë pata shku se mendova se duhet me u ballafaqu me ta. Por më nuk do të shkojmë. Është gjykatësi i njëjtë që ka dënuar aktivistët tanë”, tha Haxhiu për Periskopin.

Haxhiu nuk e mohoi që mund të sillet me dhunë nga Policia në gjykatë, por tha se VV është mësuar tashmë me këtë gjë. Ajo tha se VV nuk do t’i nënshtrohet gjyaktësit Kalludra.

“Ne tashmë jemi mësuar me këto veprime që kanë qëllim persekutimin e VV-së. Nuk do t’i nënshtrohemi një sistemi të kapur siç është ky shtetëror. Ky sistem vepron nën urdhrat e Klanit Pronto”, tha ajo.

Ndërsa, e pyetur se a ka informacione për vendndodhjen e Albin Kurtit, ajo tha se nuk ka, por sugjeroi se mund të jetë në banesë ose në ambientin e tij të punës, sikurse Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli.

“Nuk kam asnjë informacion, besoj që secili prej tyre është në ambientet e punës, në shtëpitë e tyre, në Vetëvendosje në Kuvend. Ne asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi kësaj gjykate, e sidomos jo gjyqtarit Kalludra”, tha Haxhiu.