Këshilltari i kryeministrit: VV ka vendosur standart të “protestës” para shtëpive të liderëve

28.09.2016 19:55
Këshilltari i kryeministrit: VV ka vendosur standart të “protestës” para shtëpive të liderëve

Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka reaguar pas protestave të fundit të banorëve të lagjes Dardania tek shtëpia e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas Havollit, ka qenë vetë partia e Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte vendosë këtë “standard” të protestës.

“A po i njeh këto foto? Nëse jo, po të kallxoj që është shtëpija e Kryeministrit Isa Mustafa, shtëpi private, ku ka fëmijë të moshës së njejt me qikën tuaj. Këtu, partia jote ka gjuajt edhe molotova. Para shtëpisë tuaj kanë protestu në mënyrë të qetë, veç ti bërtitshe aty”, ka shkruar Havolli në llogarinë e tij në Facebook.

“Je ti edhe partia jote që keni vendosë standard të ri të “protestës”, atë të terrorizimit të familjarëve të kundërshtarëve tuaj. (keqardhje per qiken e shqetësuar)”, ka shtuar ai.

Banorë të larguar nga banesat e uzurpuara kanë protestuar në dy raste para shtëpisë së Ahmetit, ndërsa ky i fundit ka thënë se komuna që ai drejton nuk ka përgjegjësi në këtë rast, meqë policia ka zbatuar urdhrin e gjykatës.