Hasan Shala zgjidhet kryetar i ri i Gjykatës së Apelit

Hasan Shala është zgjedhur kryetar i ri i Gjykatës së Apelit, pasi ka arritur të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Hasan Shala zgjidhet kryetar i ri i Gjykatës së Apelit

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit, Nehat Idrizi.

Gjatë këtij takimi është votuar për kryetar të Gjykatës së Apelit dhe për kryetar të Gjykatës së Gjilanit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Hasan Shala, arriti të marrë shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovë, kundrejt kundër – kandidates Tonka Berishaj. Gjyqtari nga Peja, do ta udhëheq këtë gjykatë për katër vjetet e ardhshme”, thuhet në komunikatë.

“Hasan Shala është gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1988. Provimin e Jurisprudencës e kreu dy vjet më vonë, pasi mbaroi praktiken profesionale në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë. Një vit më vonë, u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë. Pasi ushtroi 5 vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit”.

Po në këtë mbledhje, u votua edhe për kryetar të Gjykatës Themelore të Gjilanit, por asnjëri nga të katër kandidatët nuk i mori shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit. Andaj, Këshilli mori vendim të përsëritet konkursi për këtë Gjykatë.

Deri në zgjedhjen e kryetarit U.D. i kryetarit u emërua zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala. /Insajderi.com

 

Dosja Grande III – Skënder Hyseni më njoftoi me Gifonin