Hartuesi i platformës Veseli beson se edhe VV-ja do të jetë pjesë e saj

Hartuesi i platformës Veseli beson se edhe VV-ja do të jetë pjesë e saj

Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka sqaruar platformën që Kadri Veseli teksa ua ka dërguar liderëve politikë për konsensus mes partive politike për pesë çështje të interesit shtetëror. Vetë hartuesi i kësaj ideje, Bajrami, ka thënë se me këtë platformë synohet të unifikohet spektri politik shqiptar rreth dialogut me Serbinë, formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, themelimit të ushtrisë, agjendën evropiane dhe reformën zgjedhore.

Bajrami në një intervistë për KosovaPress, e ka quajtur moment të rëndësishëm që në këto momente në të cilat po kalon Kosova, të ketë një unitet politik shqiptar. Nënkryetari Bajrami theksoi se ky është një akt lidershipi i kryetarit Veseli, një ofrim dore për opozitën që në vend të shkuarjes së shpejti në zgjedhje të papërgatitura, të shkojnë me përmbylljen e këtyre pesë çështjeve, me një pjesëmarrje të opozitës, pastaj është krejtësisht e deplasuar çështja se kur do të mbahen zgjedhjet.

Por, sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve pa i kryer detyrat e shtëpisë, pa i rrumbullakuar agjendat shtetformuese, do të jetë një moment jo pragmatik.

Bajrami beson edhe në rolin pragmatik të opozitës, për të qenë pjesë e kësaj platforme dhe përfundimit të këtyre çështjeve të agjendës shtetformuese. Pavarësisht se kanë qenë shumë kritikë ndaj mënyrës së dialogut dhe themelimit të AKS-së, Bajrami beson se edhe Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.

Madje, thotë se për këto dy procese kritike ka qenë edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Derisa, e quan pak të vonuar këtë platformë, por sipas tij, viti 2018 është përcaktues për shumë procese.
Bajrami beson se tri prej pesë çështjeve të cekura në platformë, mund të kryhet brenda këtij viti, nëse spektri politik bashkohen rreth kësaj platforme.

Nënkryetari i PDK-së konsideron, se nëse partitë politike parlamentare arrijnë konsensus për këto çështje, atëherë është shumë më lehtë të bëhet presioni te Lista Serbe që të mundësojë ndryshimet kushtetuese tek formimi i ushtrisë, meqë vetëm aty nevojitet pajtimi i tyre.
Sipas Bajramit, unifikimi i liderëve politikë rreth kësaj platforme për çështje shtetërore do të kthente seriozitetin dhe do të kthente besimin ndaj tyre edhe te qytetarët që me të drejtë nganjëherë janë zhgënjyer në lidership.