Harta e Dodikut për ndarjen e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës

21.11.2017 20:59
Harta e Dodikut për ndarjen e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen, Millorad Dodik tha se Republika Srpska nuk do të organizojë referendum për shkëputje nga Bosnje-Hercegovina. Por vetëm për momentin, sepse pavarësia e Republikës Srpska, ndarja e kësaj pjese nga Bosnja dhe bashkimi me Serbinë, mbeten “ëndërr e tij”.

Millorad Dodik pohon se Bosnje-Hercegovina e tanishme “nuk do ta mbijetojë” në formën e tanishme. Për dallim prej shumë politikanëve të tjerë serbë, Dodik nuk heziton fare edhe nga ndarja e Kosovës dhe e Bosnjës.

Image

Në intervistën për DW, të zhvilluar nga Zorica Ilic dhe Bahri Cani, Dodik vizaton madje edhe kufijtë e ri të këtyre vendeve.

Reagime të ashpra

Incizimi i intervistës ku Dodik vizaton kufi të rinj në Ballkan ka zgjuar interesim të madh në shumë media të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Ka reaguar edhe kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kundërshton ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Vizatimin e hartave e ka kundërshtuar edhe lideri i Ligës së Socialdemokratëve në Vojvodinë, Nenad Çanak, i cili tha se “vizatimet e këtilla ta kujtojnë fillimin e tragjedive të tmerrshme nga fillimi i viteve 90-të”.

“Millorad Dodiku po luan me zjarrin që do ta përpinte edhe atë vet”, thotë Çanak.

Në serinë e intervistave të DW-së me liderët e Bosnje-Hercegovinës (Bakir Izetbegoviq, Dragan Çoviq, Mlladen Ivaniq dhe Millorad Dodik), ata parashikojnë të ardhme të vështirë për vendin e tyre.

Të gjithë ankohen për bllokimin e institucioneve dhe asnjë prej tyre nuk sheh ndonjë zgjidhje të shpejtë të problemeve, sepse të gjitha vendimet merren me konsensus.

Boshnjaku Izetbegoviq dhe kroati Çoviq do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, por këtë e pamundëson kundërshtimi i palës serbe në institucione.