Haradinaj: Nuk ka vend për festë nesër në shesh

Haradinaj: Nuk ka vend për festë nesër në shesh

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është gënjeshtër paralajmërimi se të premten në sheshin “Ibrahim Rugova” ose “Skënderbeu” do të ketë festë.

“Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike- janë rrena. Kanë paralajmëruar rreziqe – janë rrena. Kanë paralajmëruar festë – është rrenë”, citohet të ketë thënë Haradinaj në një komunikatë të opozitës së bashkuar në të cilën bëhet thirrje për nisjen e protestës në orën 10:00 të premtën.

“Ata kanë qëllimin që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk ka protestues shpresojnë se do të duken më legjitim në parlament.  Kuorumi në parlament është degraduar, tash ka mbetur populli kuorumi i vetëm legjitim”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Sipas kësaj komunikate në të cilën janë cituar edhe dy krerët e tjerë të opozitës, Fatmir Limaj dhe Visar Ymeri, “nesër në ora 10:00 do të jetë protesta e radhës për largimin e Qeverisë dhe kundër zgjedhjes së Presidentit.

“I thërrasim të gjithë qytetarët e Kosovës që janë kundër politikave të kësaj qeverie, që janë kundër thellimit dhe vazhdimit të kapjes së shtetit, që nesër të na bashkohen në shesh të kundërshtimit dhe ta ngrisim së bashku zërin e protestës ashtu që ta pengojmë kapjen e shtetit në majën e tij, në Presidencë”, thuhet në komunikatë.