Haradinajt nuk i bën përshtypje “plani” i Kurtit për seancën e 24 gushtit

Haradinajt nuk i bën përshtypje “plani” i Kurtit për seancën e 24 gushtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është i nominuar i koalicionit PAN për kryeministër, nuk e ka lexuar fare një letër publike të Albin Kurtit nga Vetëvendosje, i cili të premten ka dhënë një propozim për daljen nga bllokada politike.

I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, Haradinaj ka thënë shkurt se “për bese nuk e kam lexu”.

Kurti ka propozuar që kur të mblidhet Kuvendi më 24 gusht, një shumicë e anëtarëve të tij mund të mblidhen e së bashku të propozojnë një kandidat për pozicionin e Kryetarit të Kuvendit e më pas ta zgjedhin atë person me votat e tyre, nëse PAN dështon të sigurojë votat për Kadri Veselin.

“Kjo është ajo çka planifikon të bëjë Lëvizja Vetëvendosje,” ka thënë Kurti.

Në një shkrim në Facebook, të cilën Kurti e ka titulluar “Si të dalim nga bllokimi”, ai thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014,  që ia jep të drejtën ekskluzive grupit më të madh parlamentar të ketë kryetarin e Kuvendit, është i gabuar.

“Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës. Sidomos në një rast kaq të rëndë sa ky i yni, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës”, shkruan Kurti./Insajderi.com