Haradinaj i zemëruar me reagimin e njerëzve pas ftesës së Trump

Haradinaj i zemëruar me reagimin e njerëzve pas ftesës së Trump

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i zemëruar dhe i habitur me reagimin e disa njerëzve pas ftesës që ai pranoi për të qenë i pranishëm në inaugurimin e Donald Trump si President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas ftesës që Haradinaj mori nga Trump për të qenë i pranishëm në inaugurimin e tij si president i SHBA-ve më 20 janar të këtij viti, ka pasur komentime nga disa njerëz dhe mediume rreth rëndësisë së ftesës së Trump.

Për Haradinajn, ka qenë i pakuptueshëm një reagim i tillë. Lideri i AAK-së thotë se për Kosovën “nuk ka rëndësi më të madhe se sa ftesa prej një presidenti të Amerikës”.

“Ftesa ka ardhur, organizata që unë po flas njëri nga kryesuesit është Michael Bjundo, është edhe anëtar i PIC-ut apo Komiteti Presidencial për Inaugurim, ku edhe do të marrë pjesë në ceremoninë kyçe pra kryesore e më pas edhe në atë përcjellëse por për koincidencë më ka ardhur edhe një ftesë tjetër prapë ku është presidenti aty janë lutjet e mëngjesit, ai mban fjalim. Pak është befasi ardhja e dy ftesave nuk e kam pritur fort që do të vijnë por menjëherë jam përgjigjur pozitivisht dhe kam aplikuar për viza”, ka thënë ai në një intervistë me Indeksonline.

Haradinaj ka thënë se në SHBA do të shkojë për të marrë përkrahjen e shtetit amerikan për Kosovën.

“Unë pash edhe disa komentime të shumta se a është me rëndësi apo nuk është e  që nuk duhet të thuhet ashtu sepse kur thuhet ashtu nuk është me rëndësi ftesa në inaugurimin e presidentit të një vendi që ka bërë shumë për ty, edhe ata e marrin si ofendim, pra jo ndaj meje por duhet të ketë kujdes edhe pala tjetër. Pra kush është me rëndësi me na e thirr, Moska, Beogradi apo kush nëse jo prej Amerikës”, është shprehur Haradinaj.

Inaugurimi i Presidentit të Zgjedhur amerikan Donald Trump, do të zë vend më 20 janar të këtij viti në Uashington. /Insajderi.com