Haradinaj thotë se do të formojë komision të ri për demarkacionin

Haradinaj thotë se do të formojë komision të ri për demarkacionin

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, që ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka dhënë një ide të re për mënyrën sesi të zgjidhet ky proces.

Në një takim me qytetarë në Prizren i mbajtur pasditen e së dielës, Haradinaj ka thënë se Qeveria e drejtuar nga ai tashmë e ka të qartë se si do ta zgjidhë çështjen e demarkacionit por kufiri do të mbetet në Çakor.

“Ne do të krijojmë një komision të ri, që ka të gjetura të reja. BE-së do t’i themi se kjo cështje që e keni si kusht është në rrugë për t’u zgjidhur dhe se nuk ke të drejtë ta ndalosh sepse nuk është më proces i bllokuar. Ata e kanë ndalë procesin e liberalizimit të vizave sepse demarkacioni ka qenë i bllokuar”, ka thënë Haradinaj, raporton Insajderi.

Madje sipas tij, me formimin e Komisionit të ri për demarkacion procesi i liberalizimit të vizave nuk do të zgjasë më shumë se tre muaj.

“Nuk shoh proces më të gjatë sesa tre muaj për nisjen e procesit për liberalizim”, ka thënë Haradinaj në Prizren.

“Një komision i ri, me të gjetura të reja, por kufiri nuk do të lëvizë”, ka shtuar ai.

Një komision për demarkacionin e kishte krijuar edhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa. Në krye të tij ishte kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islami.

Ky komision kishte dalë në terren për të bërë matjet, sipas versionit të Qeverisë së Kosovës. Kishte ardhur në përfundim se kufiri është ai që përcaktohet në marrëveshjen për demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Por të gjeturat e këtij komisioni ishin kundërshtuar nga opozita, pjesë e së cilës ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./Insajderi.com