Haradinaj thotë se AAK nuk do të bëjë koalicion me askënd për zgjedhjet lokale

Haradinaj thotë se AAK nuk do të bëjë koalicion me askënd për zgjedhjet lokale

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një konference për medie ka prezantuar gjashtë kandidatë për kryetar komunave. AAK është shprehur se në zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti do të garojë e vetme.

“Të hënën do ta përmbyllim këtë proces të nominimit të kandidaturave, mblidhet kryesia, këshilli drejtues dhe do ta kemi finalen. Do të garojmë në të gjitha komunat e Kosovës, garojmë si Aleancë, pra jemi në garë në gjithë vendin”, ka thënë i pari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Kjo parti ka prezantuar ri kandidimin për komunën e Obiliqit dhe atë të Junikut, ku për të parën ka rikandiduar Xhafer Gashin dhe për të dytën Agron Kuqin.

Në Deçan, AAK-ja synon ta mbajë pushtetin duke ndryshuar kandidatin, pas zgjedhjes së kryetarit aktual Rasim Selmanaj deputet, kjo parti ka vendosur për kandidat Bashkim Ramosaj.

Ndërsa, synon të rikthej Rahovecin me ish-kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifaj, si dhe Suharekën me Bali Muharremi. Kurse, komunën e Kliëns, synon ta marrë me kandidatin Zenun Elezi.