“Haradinaj, Thaçi dhe figura të tjera të UÇK-së mund të akuzohen nga Gjykata Speciale”

“Haradinaj, Thaçi dhe figura të tjera të UÇK-së mund të akuzohen nga Gjykata Speciale”

Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka reaguar ndaj verdiktit të sotëm në Hagë, ku është dënuar komandanti i ushtrisë së serbëve të Bosnjës për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Duke i bërë një analizë punës së Tribunalit të Hagës rreth impaktit politik të tij, Serëer ka thënë se edhe kur nuk i ka kapur me kohë, ky Tribunal i ka larguar nga skena politike udhëheqësit e luftës.

Serwer e ka përmendur me këtë rast se po të mos ndodhte kështu Bosnja dhe Serbia do të kishin raporte më të tensionuara.

“Kjo është më pak e vërtetë për të akuzuarit kroat, boshnjak dhe kosovar, veçmas pse lidershipi më i lartë i tyre nuk ishin akuzuar asnjëherë. Presidenti kroat Tudjman dhe Presidenti Izetbegovic janë të vdekur. Kryeministri Haradinaj është akuzuar dhe liruar. Tani, ai është përsëri kryeministër. Ai dhe Presidenti i Kosovës, ose figura tjera të UÇK-së ende mund të akuzohen, nga ‘Gjykata Speciale’ e Kosovës që përbëhet nga stafi ndërkombëtar në Hagë e që do të merret me krimet e pasluftës”, shkruan Serwer.

“Disa mund të thonë se dështimi për të mbajtur përgjegjës më shumë liderë kroatë, boshnjakë dhe lirimi i disa udhëheqësve ushtarakë të tyre, tregon se Tribunali është i njëanshëm kundër serbëve, ose implementon vetëm drejtësinë e fituesit. Disa lirime i shoh si të vështira për t’i kuptuar, por është e rëndësishme të mbahet mend se Gjykata si ICTY që ndjek praktikat më të mira në procedurat bashkëkohore kriminale ka gjasa më shumë ta lirojë fajtorin sesa ta dënojë të pafajshmin, e kështu duhet edhe të jetë”, ka shtuar Serwer.