Haradinaj takon përfaqësueset e strehimoreve për viktimat e dhunës

25.11.2017 11:54
Haradinaj takon përfaqësueset e strehimoreve për viktimat e dhunës

Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas, kryeministri Ramush Haradinaj, priti në takim drejtoreshën e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Valbona Qitaku, drejtoreshën e Strehimores “Liria” në Gjilan, Nazife Jonuzi, dhe Teuta Abrashin, përfaqësuese e Organizatës për luftën lundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Drejtueset e këtyre qendrave e njoftuan kryeministrin me veprimtarinë e tyre në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të viktimave të dhunës dhe me vështirësitë me të cilat përballen qendrat e strehimit.
“Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, shprehu mirënjohje për punën që ato bëjnë, duke theksuar se duhet rritur përkujdesja institucionale për të gjitha strehimoret në Kosovë.

Në takim, po ashtu u bë e ditur se policia raporton se çdo vit rreth 1300 persona në Kosovë janë viktima të formave të ndryshme të dhunës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas, bënë thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.