Haradinaj: S’do të lejojmë që Kosova të shndërrohet në vend të pasigurt

Haradinaj: S’do të lejojmë që Kosova të shndërrohet në vend të pasigurt

Sulmin ndaj gruas së ministrit në detyrë Blerand Stavileci, Vitore Metaj Stavileci sot në Prishtinë e ka dënuar edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj.

Haradinaj nëpërmjet rrjetit social Facebook ka thënë se kryerësit e këtij akti të shëmtuar duhet të kapen menjëherë. Ai ka thënë se nuk duhet lejuar që Kosova të shndërrohet në vend të pasigurt për qytetarët e saj.

“Sulmi ndaj zonjës Stavileci, bashkështorte e Ministrit Stavileci, është një akt kriminal, dhe duhet të trajtohet i tillë. Kryesit e këtij sulmi të shëmtuar, duhet të zihen sa më parë dhe mbi ta të bjerë gjithë forca e ligjit. Nuk do të lejojmë që Kosova të shndërrohet në vend të pasigurt për qytetarët e saj. Organet e rendit dhe të ligjit ta bëjnë punën e tyre pa u vonuar për asnjë çast”, ka thënë Haradinaj.

“Shteti i Kosovës dhe shoqëria jonë nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj kësaj dukurie që nuk ka asgjë të përbashkët me ne si komb e si shoqëri”, ka shtuar më tej ai.