Haradinaj: Qeveria iu qasë gabimisht çështjeve të mëdha

Haradinaj: Qeveria iu qasë gabimisht çështjeve të mëdha

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se viti 2016 ishte një vit i ngecjes për Kosovën, madje edhe i përkeqësimit të gjendjes në vend, në rend dhe ligj, në ekonomi, shëndetësi, arsim.

Sipas Haradinajt, Kosova aktualisht i ngjan një shteti gjysmë-privat e gjysmë-ligjor. Pasi përmend dështimet në energji, Trepçë, Brezovicë, Postë, Haradinaj thotë se të krijohet bindja se është njëfarë plani i fshehtë, për të mos e lënë Kosovën të ecë përpara. Ai mendon se viti 2017 duhet të jetë vit i zgjedhjeve. Për këtë ai thotë se Aleanca po përgatitet seriozisht.

Koalicioni me Nismën tashmë është i sigurt, ndërkohë që Haradinaj tregon se synon që në koalicion të përfshijë dhe AKR-në e Behgjet Pacollit, dhe disa parti më të vogla.

“Kemi biseduar me AKR-në dhe i kemi propozuar një marrëdhënie trepalëshe. Jemi në pritje të përgjigjes nga AKR-ja, nuk e dimë si do të jetë kjo përgjigje por nëse edhe AKR-ja bashkohet, ky blloku ynë opozitar, boshti ynë AAK-Nisma-AKR mund të jetë pretendente me i fitu zgjedhjet. Ne edhe sot jemi pretendentë, kemi 20 % të votës AAK-Nisma, 15% i ka Aleanca vetë. Me këtë besojmë se mund t’i fitojmë zgjedhjet nëse na bashkohet edhe AKR-ja”, thotë Haradinaj.

Ndërkohë, ai nuk mendon të bashkëpunojë me partitë që tani janë pushtet.

“Nuk mendojmë me punu me LDK-në e PDK-në, për shkak se mendojmë se janë meritore të gjendjes së krijuar. Kemi mendim ndryshe për Lëvizjen për Bashkim, nuk e shohim aq kontribuuese të keqe të këtyre proceseve, po me PDK-në e LDK-në s’kemi ide për koalicion”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online.

Kreu i AAK-së flet edhe për iniciativën e kryeparlamentarit Kadri Veseli, njëherë kryetar i PDK-së, për një tryezë të partive ku do të arrihej një pajtim rreth “temave të mëdha”, siç janë demarkacioni e Asociacioni i Komunave Serbe. Ai porosit Veselin se tani është vonë për “sanimin e dëmeve”.

“Logjika ka qenë shumë e gabuar, këta e kanë nënshkruar marrëveshjen e gabuar pa konsulta paraprake me partitë politike. Tani i bie që po na thërrasin për sqarimin e pasojave që kanë ndodhur. Konsultat e spektrit politik duhet të fillojnë para marrëveshjeve, para bisedimeve me Serbinë a ndonjë shtet fqinj duhet të bisedohet me partitë politike të Kosovës. Pra, qeveria jonë para se me bisedu me partitë politike ka biseduar me Serbinë. E ka mbajtur të fshehtë prej opozitës atë që e ka ditur Serbia. Edhe kanë nënshkruar marrëveshje të gabuara”, ka shtuar ai.

Ai i ka thënë Veselit se është vonë, sepse dëmet kanë ndodhur dhe sanimi i dëmeve bëhet nga ata që i kanë krijuar, në këtë rast duke i korrigjuar marrëveshjet, ndërsa në të ardhmen, ka thënë se është mirë që të mos i sjellin në pozita të njëjta.

“Ne mendojmë se është koha që vendi të shkojë në zgjedhje dhe jo ky konstalacion politik që po i krijon këto gabime të na prijë më tutje”, ka thënë tutje ai.

Haradinaj nuk e pranon se opozita ka faj pse kosovarët nuk e morën liberalizmin e vizave.

“Kushtet bazë për liberalizimin janë luftimi i krimit e korrupsionit dhe reformat në administratë. Vetë qeveria jonë e ka propozuar demarkacionin si kusht”, thotë ai.

Ai kritikon edhe presidentin Hashim Thaçi se nuk po e ushtron rolin e tij të përfaqësimit në politikën e jashtme. Mes arsyeve, ai përmend “ngjarjet që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, duke aluduar qartë në fillimin e punës së Gjykatës Speciale.