Haradinaj i përgjigjet Vulinit: Historia shqiptare është më e vjetër se krejt Ballkani

Haradinaj i përgjigjet Vulinit: Historia shqiptare është më e vjetër se krejt Ballkani

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pas propozimit të tij të djeshme për të ngritur memorialin e shqiptarëve të vrarë në Betejën e Kosovës, kanë ardhur edhe disa reagime.

Ky është shkrimi i plotë i Ramush Haradinaj i cili vjen si në përgjigje ndaj Aleksandar Vulinit, ministri të Punës në Qeverinë e Serbisë,  i cili dje tha se “disa shqiptarë dëshirojnë që ta ndryshojnë historinë serbe”

“Pas propozimit tim të djeshëm që institucionet e Republikës së Kosovës ta ngrisin një memorial për shqiptarët e vrarë në Betejën e Kosovës, ka pasur disa reagime, sa emocionale aq diletanteske, prej asaj se unë i jam vënë në mbështetje “Car Llazarit” e deri te ajo se po provoj ta ndryshoj historinë e serbëve”!

“U përgjigjem të gjithë këtyre zërave, se unë nuk po merrem as me lavdinë e as me historinë e të tjerëve. Po kërkoj një lapidar ose memorial, ku do të kujtoheshin të gjithë ata shqiptarë, e që nuk janë pak, që ranë në Betejën e Kosovës, sepse edhe historia edhe lavdia u përket atyre, dhe mitet nuk mund t’i ndryshojnë faktet historike”.

“Sa u përket zërave se unë po provoj ta ndryshojë historinë serbe, i siguroj ata se historia shqiptare, është shumë më e vjetër se krejt historitë e Ballkanit! Kanë qenë vet historianët serbë që e kanë falsifikuar historinë e tyre, por kjo është punë e tyre dhe jo imja”.

Pas propozimit të bërë nga Haradinaj para një dite, se shqiptarët duhet ta ndërtojnë një përmendore, po ashtu në Gazimestan, kishte reaguar edhe zyrtari serb Aleksandar Vulin, i cili e quajti “false” historinë e shqiptarëve. /Insajderi.