Haradinaj nuk ndjehet më i ofenduar, e do në koalicion Listën Serbe

Ramush Haradinaj kishte reaguar ashpër gjatë një interviste kur ishte pyetur nëse e sheh Serbinë si partner në konsolidimin e Kosovës, disa ditë para zgjedhjeve, por tash ai është duke pritur të marrë votat e deputetëve të Listës Serbe, të cilë vazhdimisht deklarojnë se i njohin vetëm institucionet e Serbisë, që të bëhet kryeministër.

Haradinaj nuk ndjehet më i ofenduar, e do në koalicion Listën Serbe

Kandidatit për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinajt, i ishte dukur ofenduese pyetja e gazetarit të televizionit publik, nëse ai do të zgjidhet kryeministër a e sheh Serbinë si partner në konsolidimin e shtetit.

“Po bon hajgare po më duket”, ishte reagimi i parë i Haradinajt.

“Është ofendim më i thanë kryeministrit të ardhshëm, ose të nominimit, që e ki partner Serbinë. Nuk e kam partner Serbinë. E kam Shqipërinë. Vëlla e motër, e çka të dush i kam shqiptarët së pari. I kam ata që më dojnë. E kam Kroacinë partner, e kam Austrinë, Gjermaninë. Qysh partner Serbinë?. Serbia është armik”, pati thënë ai.

Se nuk don të qeverisë me Listën Serbe e tha edhe ditën e fundit të fushatës zgjedhore në një emision në TV Dukagjini. Aty Haradinaj madje deklaroi se nëse nuk arrijnë të sigurojnë vota të mjaftueshme me PAN-in e u duhen vota për krijim e qeverisë  nuk do t`i kërkojnë nga Lista Serbe.

“Sa i lypin votat te Lista Serbe i lypim të shqiptarët”

“Nëse na duhen votat i marrim të shqiptarët. Nëse na duhen deputetë për koalcion nuk do t`i marrim ata që i pengojnë proceset”, deklaroi Haradinaj.

Por tash pas shpalljes së rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në rast se nuk lidhen koalicione me LDK-AKR-në ose eventualisht me Lëvizjen Vetëvendosje, Haradinaj është duke llogaritur në votat e Listës Serbe dhe të minoriteteve tjera që të mund të bëhet kryeministër i vendit, shkruan Insajderi.

Haradinaj ka filluar edhe zyrtarisht takimin me deputetët e Listës Serbe.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se kreu i partisë tash e disa ditë ka filluar negociatat me disa nga deputetët e AKR’së, LDK-së si dhe pakicave serbe.

“Ka biseduar me deputetë të pakicave serbe, me përfaqësuesit të AKR-së, është në kontakte me deputetë të LDK-së”, ka thënë ai.

Koalicioni PDK –AAK- Nisma (PAN) ka arritur të siguroj 39 deputet në parlament, ndërkohë që i duhen edhe 22 deputetë që të mund të ketë numrin e mjaftueshëm të votave për tu bërë kryeministër. 20 deputetë janë nga minoritetet  ndërkohë që i duhen edhe dy nga partitë tjera shqiptarë për të krijuar qeverinë.

Haradinaj kishte deklaruar se nuk do ta njoh Serbinë nëse ajo nuk e njeh Kosovën,  “Nuk vlen për ne Beogradi. Nuk janë kurrkushi, nëse dojnë bajmë dialog, nëse s’dojnë le të rrinë në punë të veta. Kush nuk na njeh edhe ne nuk e njohim”, pati thënë ai.

Por në rast se qeverinë e krijon  me Listën Serbe, roli i Beogradit nuk do të dobësohej ashtu siç deklaronte Haradinaj, por do të varej plotësisht nga ajo edhe për vendime të rëndësishme për të cilat Lista Serbe është deklaruar në vazhdimësi kundër.

Lista Serbe e cila deklaron se e njeh si president dhe kryeministër vetëm zyrtarët e Beogradit, janë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, e në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ushtria themelohet me ndryshime kushtetuese, e ku për këto ndryshime nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe minoritetet.

Ky subjekt politik serb është themeluar pas marrëveshjeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u kishte bërë thirrje serbëve të Kosovës ta votonin Listën Serbe.

Koalicionit PAN, si fitues i numrit më të madh të votave pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja dhe pasi që presidenti t`ia jep mandatin për krijimin e qeverisë i mbesin edhe 15 ditë që të krijoj qeverinë. /Insajderi.com

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/RamushHaradinajOfficial/videos/575801349210950/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]