Haradinaj: Nuk mundemi tërë jetën t’i pyesim të tjerët

Haradinaj: Nuk mundemi tërë jetën t’i pyesim të tjerët

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në një tubim me bashkëqytetarë në Rahovec, ka thënë se tash e tutje, pas që ai të emërohet kryeministër, kosovarët do t’i marrin vet punët në duar.

“Nuk mundemi tërë jetën t’i pyesim të tjerët se çfarë të bëjmë, por ne duhet të jemi të zotët e këtij vendi”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se në Qeverinë e tij s’do ketë njerëz që u ikin punëve.

“Në Kosovë tash e tutje do të përballemi me punët e vendit, jo të ikim, jo të fshihemi, por të përballemi me punë. Do punojmë më gjatë e do punojmë bashkë, ai që punon s’do të jetë më vetëm. Punën e sotme do ta bëjmë sot”, ka thënë ai.

Haradinaj tha se besimin e dhënë nga qytetarët asnjëherë nuk e ka keqpërdorur dhe asnjëherë nuk do të keqpërdorët.

“Në luftë e kam pasur besimin e bashkëluftëtarëve, e kam nderuar atë besim, një herë ma dha besimin presidenti, Ibrahim Rugova, përkundër telasheve e kam nderuar atë besim. Sot e kam edhe njëherë besimin, e kam edhe besimin e PDK-së, dhe këtë besim do të ia kthej me nderë këtë besim”, theksoi ai./Insajderi.com