“Haradinaj nuk mund t’i shkarkojë ministrat me aktakuzë se i bie krejt Qeveria”

10.06.2018 23:10
“Haradinaj nuk mund t’i shkarkojë ministrat me aktakuzë se i bie krejt Qeveria”

Në emisionin InDoks u transmetua dokumentari “Qeveri nën aktakuzë”.

Është ky një dokumentar që ekspozon Qeverinë e Kryeministrit Ramush Haradinaj si njëra nga qeveritë më të dobëta të pasluftës anëtarët e së cilës tash janë me trup në zyrën e tyre e me mend në Gjykatë. Akuzohen për korrupsion.

Këtu e gjeni të plotë dokumentarin!

Në këtë dokumentar Isuf Zejna nga “Demokraci Plus” thotë se Haradinaj nuk mund ti shkarkojë ministrat me aktakuzë se i bie Qeveria. Ku e mbështet ai këtë konstatim?

Në 50 minuta të dokumentarit InDoks me autor Visar Duriqi do të bëhen publike akuzat me të cilat ngarkohen ministrat e Ramush Haradinajt. Flasin njerëz të shtetit që i ndjekin ministrat. Flasin edhe ata që i mbrojnë. Edhe ata që mendojnë që ky veprim i pamoralshëm duhet të bëhet i paligjshëm. Flet edhe dikush që provoi një herë të jepte dorëheqje për të dhënë shembull të mirë.

Sa ministra të Qeverisë së Ramush Haradinajt kanë aktakuza nga Prokuroria?

Pse Kadri Veseli po i mbron ministrat e aferës “Pronto” edhe pse premtoi që do ti shkarkonte për 2 minuta ministrat e PDK-së?

Si ra në përgjime gjykatësi derisa po hetohej një rrjet ndërkombëtar i drogës?

Këto dhe shumë pyetje të tjera marrin përgjigje ne dokumentarin “Qeveri nën aktakuzë”.

InDoks është emision hulumtues që prodhohet nga Gazeta Online Insajderi. /Insajderi.com