Haradinaj nuk e konsideron sukses ndarjen e 290 mijë eurove për grupin Kumanova

Haradinaj nuk e konsideron sukses ndarjen e 290 mijë eurove për grupin Kumanova

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, javën e kaluar ka publikuar raportin 100 ditësh të punëve të tij.

Por në këtë raport askund nuk figuron vendimi se ai i ndau 290 mijë euro për familjarët e grupit të Kumanovës, shkruan Insajderi.

Në raportin 19 faqesh ai përmend të gjitha rastet tjera kur nga ekzekutivi janë ndarë mjetë financiare, por jo edhe vendimi që u mor në mbledhjen e datës 10 nëntor .

“290 mijë euro janë ndarë për mbulimin e shpenzimeve te familjeve të të dënuarve dhe te vrarëve në Rastin Kumanova”, pati thënë Haradinaj atë ditë.

Ai pati treguar se çdo familjeje të të dënuarve dhe të vrarëve do t’u takojnë nga 10 mijë euro, të gjitha këto nga nënkategoria e rezervave.

Por ky vendim kishte shkaktuar përplasje në mes kryeministrit dhe vartësve të tij. Detajet rreth kësaj i ka zbuluar vetë kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për një televizion nacional.

“E kom thirrë ministrin e Drejtësisë, a pe bon një propozim diqysh, tha po kqyri me vet qysh shkon, edhe i mshova vet prej zyrës së kryeminsitrit, shpejt e shpejt”, ka thënë Haradinaj.

“Në këto raste gjykimi i im është i shpejtë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ministri Abelard Tahiri, kur ishte pyetur nga Gazeta Insajderi, nuk ka dashur të komentoj rreth këtij rasti.

“Unë jam ministër i Qeverisë së z.Haradinaj dhe unë nuk i komentoj qëndrimet e kryeministrit”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se ai është vendim i Qeverisë, dhe tashmë është fakt i kryer.

Më 2 nëntor Gjykata në Shkup dënoi me 746 vjet burg të akuzuarit për përleshjet në Kumanovë gjatë të cilave u vranë tetë policë të Maqedonisë dhe 10 persona nga grupi i armatosur./Insajderi.com