Ditën e fundit të Ramazanit, Haradinaj u vardiset myslimanëve

Ditën e fundit të Ramazanit, Haradinaj u vardiset myslimanëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është vardisur pjesëtarëve të komunitetit mysliman në Kosovë teksa në një seancë parlamentare sot e ndali fjalimin e tij për të respektuar për disa sekonda thirrjen e ezanit nga një xhami pranë Kuvendit të Kosovës.

Derisa ishte duke folur në seancë ku ishte thirrur në interpelancë për subvencionet e ndara nga ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo, Haradinaj bëri një gjest të papritur.

Ai me të dëgjuar zërin e imamit në xhaminë që gjendet jo fort larg ndërtesës së Kuvendit e ndali fjalën, ani pse thirrja e ezanit ishte pothuajse në përfundim.

Por, një muaj më parë, kryeministri i Kosovës kishte ngjallur reagimin e komunitetit mysliman në vend për shkak të komenteve të bëra në lidhje me fenë islame në Kosovës.

“Me gjenerata familja ime kemi qenë shqiptarë katolik. Unë nuk e di pse jam musliman. Kurrë nuk kam qenë në xhami, as për lutje as për asgjë tjetër”, kishte thënë Haradinaj në një intervistë të dhënë për një televizion serb, duke shpjeguar mandej në fjalë më të gjata mënyrën se si religjioni ka depërtuar tek shqiptarët.