Haradinaj mohon kontaktin me biznesmenin serb

Haradinaj mohon kontaktin me biznesmenin serb

Biznesmeni kontrovers serb, Bogoljub Kariq, ka deklaruar për mediat serbe se gjatë trazirave të 2004, kur ishin sulmuar disa objekte fetare serbe në Kosovë, kishte kontaktuar në telefon me Daut Haradinajn dhe i kishte kërkuar atij që ta mbronte manastirin e Deçanit dhe Patrikanën e Pejës.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se kurrë në jetën e tij, as ai, e as dikush tjetër nga Familja Haradinaj nuk ka kontaktuar me Kariqin.

“Ja ka futur kot ai”, ka thënë fillimisht Haradinaj, i cili ka mohuar të ketë folur ndonjëherë me biznesmenin serb.

“Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk kam kontaktuar asnjëherë me Kariqin”, ka thënë Daut Haradinaj për Klan Kosovën.

Biznesmeni serb i lindur në Pejë, Bogoljub Kariq ia kishte lënë meritat kryesore Ramush Haradinajt pse në vitin 2004 s’kishte ndodhur asgjë e keqe me Patriarkanën e Pejës dhe me Manastirin e Deçanit.

Kariq ka thënë se lideri i AAK-së e ka shpëtuar Patriarkanën dhe Manastirin në Deçan.

Kariq ka thënë se kishte telefonuar Daut Haradinajn, vëllanë e ish-kryeministrit të Kosovës, meqë, Ramushin nuk e njehë personalisht.

“I kam thënë se ju mund ti ndalni të gjitha edhe në Deçan edhe gjithkund. Patriarkanën e kanë mbrojtur gjithmonë shqiptarët.. familja Nikçi”, ka thënë Kariq, në intervistë për një gazetë serb.

Kariq ka treguar se vëllai i Haradinajt i kishte telefonuar dhe i kishte dhënë besën se s’do të ketë kurrfarë rreziku për Patriarkanën. /Insajderi.com