Haradinaj liron nga detyra avokatët e tij

02.03.2017 18:28
Haradinaj liron nga detyra avokatët e tij

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vendosur që të lirojë nga detyra avokatët e tij mbrojtës, duke thënë se tashmë vetëm është duke e pritur vendimin përfundimtar të gjykatës.

“I kam liruar avokatët. Tash e kemi kryer pjesën ligjore. Tash vetëm ka mbetur të dëgjoj një vendim politik të tyre. I kemi dhënë shanse ligjit 60 ditë. Por tani është kthyer në lojë politike”, ka thënë Haradinaj.

Gjykata franceze vendosi të mërkurën që sërish të shtyjë vendimin për Haradinajn.  Ai është arrestuar më 4 janar nga autoritetet franceze, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Duke folur për emisionin Info Magazina të Klan Kosovës, Haradinaj ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen që ka marrë nga qytetarët.

“Nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Nga e gjithë diaspora. Është ndjenjë e papërshkrueshme e përkrahjes, e fuqisë që ta japin njerëzit”, ka thënë ai./Insajderi.com