Haradinaj i kundërpërgjigjet qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i është kundërpërgjigjur zyrës së kryeministrisë së Kosovës, e cila sot tha se disa materiale të prezantuara së fundmi nga deputeti dukagjinas janë fakte se Çakorri i ka takuar Malit të Zi.

Haradinaj i kundërpërgjigjet qeverisë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një kundërpërgjigje nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook, thotë se “zelli me të cilin Qeveria provon ta sheh veten të vërtetuar tregon shpirtëngushtësinë dhe para së gjithash dështimin e saj në bërjen e votave për këtë projekt të saj i cili tashmë ka dështuar”.

“Të nderuar miq, Qeveria e Kosovës paska gjetur kohë të merret me një deklaratë timen së cilës i kam bashkangjitur materiale nga pikëshikimi malazez për pikën kufitare të Kosovës me Malin e Zi. Aty kam thënë shkurt e shqip që s’e flas as s’e lexoj serbishten- nga e cila jemi LIRUAR njëherë e përgjithmonë si obligim dhe masë ndëshkimi e robërie”, ka shkruar Haradinaj.

“Por edhe materiali në fjalë mund të shërbejë si pikë për bisedime. Kurrë s’kemi thënë që s’jemi për diskutim, për biseda, për gjetje të harmonisë gjithëkombëtare për këtë problem kaq të ndjeshëm.Por zelli me të cilin Qeveria provon ta sheh veten të vërtetuar tregon shpirtëngushtësinë dhe para së gjithash dështimin e saj në bërjen e votave për këtë projekt të saj i cili tashmë ka dështuar”, deklaroi deputeti i AAK-së.

Kryeministria ka thënë se në shkrimin i cili pretendonte të sillte fakte të reja sipas të cilave “Mali i Zi, Çakorrin e konsideron si kufi në mes dy shteteve”, deputeti Daut Haradinaj në fakt ka ofruar argumente që e mbështesin punën e komisionit shtetëror, i cili si i tillë mbështetet edhe nga institucionet shtetërore, ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike të BE-së. /Insajderi.com