Haradinaj kryeministri me më së shumti zëvendës në rajon

Haradinaj kryeministri me më së shumti zëvendës në rajon

Organizata joqeveritare “Demokracia në Zhvillim” ka prezantuar një grafikë ku tregohet madhësia e qeverive të rajonit. Duke krahasuar numrin e ministrive, zëvendësministrave si dhe numrin e banorëve, del se Kosova prinë në vendet e rajoneve me numër të ministrive dhe zëvendësministrave.

“Në vitin 2016 në kategorinë paga dhe mëditje, në total të gjitha ministritë kishin shpenzuar më shumë se 225 milionë euro, duke qenë një barrë jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e shtetit.”, thuhet në njoftimin e D4D.

Sipas D4D-së, ndarja e pushtetit në mes subjekteve politike dhe koalicioneve për të udhëhequr me shtetin, ka bërë që në mënyrë graduale të rritet numri i ministrive nga mandati në mandat, duke krijuar dikastere qeveritare të panevojshme.

“Sa kaq, edhe në proporcion me numër të banorëve, Kosova renditet menjëherë pas Malit të Zi, ndërsa në raport me Maqedoninë që ka përafërsisht numër të njëjtë të banorëve, ka konsiderueshëm numër më të madh të ministrive”, bëhet e ditur nga “Demokracia për Zhvillim”.

D4D rekomandon që të zvogëlohet numri i ministrive si dhe të riorganizohen disa të tjera, në mënyrë që të bëhet lehtësim për buxhetin e vendit dhe për të kursyer paranë publike.

Sipas organizatës, Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron prapa qeverive të rajonit edhe më përfshirjen e grave në qeveri: me vetëm dy gra të emëruara si ministre.