Haradinaj: Kredibiliteti i Thaçit është dëmtuar

Haradinaj: Kredibiliteti i Thaçit është dëmtuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në dy ngjarjet që lidhen me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke qenë i vetmi liderë kosovarë që është ftuar në “ngjarjet përcjellëse” të inaugurimit të presidentit.

Haradinaj tha se presidenti Hashim Thaçi nuk po e ushtron rolin e tij të përfaqësimit në politikën e jashtme. Mes arsyeve, ai përmend “ngjarjet që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, duke aluduar qartë në fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Është pritur që do të ketë vështirësi, pengesa për Presidentin. Arsyeja vjen edhe prej mënyrës së sjelljes, ndarjes, ai nuk e bashkoi, nuk mbërrijti një unitet në vend. Ishte figurë që ndau vendin. Pastaj janë edhe arsyet tjera që i dimë të gjithë, që e presin Kosovën në pranverën që po vjen, që e vështirësojnë ushtrimin e funksioneve”, tha Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online.

“Një problem për institucionet e Kosovës, për kredibilitetin e presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit është dhe Raporti i Progresit, i cili e vlerëson aq dobët gjendjen në rend dhe ligj, korrupsion të rritur, korrupsion që është kthyer në fenomen, në mungesë të shumë aspekteve të tjera që nuk janë respektuar”, thekson ai.