Haradinaj kërkon lirimin e Nehat Thaçit dhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçit, i cili është arrestuar në Serbi dhe i është caktuar paraburgim prej 30 ditësh.

Haradinaj kërkon lirimin e Nehat Thaçit dhe ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Haradinaj ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se Serbia me veprime të tilla po tregon se është brenda logjikës së njëjtë të veprimit politik sikurse në kohën e ish-udhëheqësit të saj Sllobodan Millosheviq.

“Ndalimi i oficerit të policisë është edhe një dëshmi e fortë se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër armiqësor ndaj Kosovës, me logjikën e njëjtë Millosheviqiane”, shkruan Haradinaj.

“Koncesionet e panumërta të shtetit tonë duhet të kuptohen drejt nga politkëbërësit tonë dhe t’i ndalin këto praktika, t’i vënë kushtet strikte të reciprocitetit. Nuk duhet të ketë dialog me një shtet që sa herë mundet përbuzë uniformen tonë policore, tani duke arrestuar me aktakuza të një regjimi të përmbysur që sa vite”.

Haradinaj ka thënë se “Serbia duhet ta lirojë sa më parë këtë oficer që shërbeu dhe u avancua në detyrë falë shërbimit të tij”.

Deputeti i AAK-së mendon gjithashtu se Kosova duhet të ja bëjë të qartë Brukselit se raportet ndërshtetërore janë të pamundshme me një sjellje të tillë nga ana e shtetit serb. /Insajderi.com