Haradinaj i dhuron penallti Serbisë kundër Kosovës – Deklarata skandaloze e kryeministrit për Asociacionin

Haradinaj i dhuron penallti Serbisë kundër Kosovës – Deklarata skandaloze e kryeministrit për Asociacionin

Teksa presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe presidenti kosovar Hashim Thaçi, po takoheshin në Bruksel për të definiuar të ardhmen e dialogut, kryeministri Ramush Haradinaj ishte në një studio televizive.

Në RTV 21, në emisionin “Argument Plus”, ai po shpjegonte procesin e demarkacionit dhe ratifikimit të tij në Kuvend, kur në fund të emisonit bëri një deklaratë e cila mund t’i shkaktojë probleme të mëdha Kosovës në procesin e dialogut.

Kryeministri Haradinaj tha se që nga koha sa është në krye të qeverisë nuk e lexuar marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, për themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe. Anipse çështja e Asociacionit, kishte qenë kauza e dytë e Haradinajt, në kohën sa kishte qenë në opozitë.

“Për besë s’jom marrë me këtë temë. Beso që hiç s’jom marrë. Prej që është negociu njëherë kjo temë e që kem bo kundërshtime opozitare. Prej vendimit pastaj të Gjykatës Kushtetuese mo kurrë s’jom marrë me këtë temë…. E kom ni në raste të caktueme, po kurrë se kom kqyrë çka është, ka thënë Haradinaj.

E i pyetur se a të fillojë që ta trajtojë këtë temë, kur dihet edhe kërkesa e Bashkësisë Ndërkombëtare për të, Haradinaj përgjigjet me fjalët: “Nuk e di, ta shohim.

“Ta shohim ta shohim a do të merremi”, ka thënë Haradinaj.

Por, për këtë gjë e ka shfrytëzuar në kohë reale presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili pas takimit me Thaçin ka thënë se Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk e ka lexuar tekstin e marrëveshjes.

Ai ka shtuar se është fyerje që as pas pesë vjetësh, që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes, kryeministri i Kosovës thotë se nuk e ka lexuar atë.

“I thashë Mogherinit se ky takim ishte i njejti me të tjerët. Kur e ke Haradinajt që thotë se nuk ka pasur kohë të lexoj, dhe ta mendosh se marrëveshjet e Brukselit kanë faqe dhe tekst e ata nuk mund ta lexojnë atë marrëveshje as për 5 vjet, kjo është një fyerje ndaj nesh, për Serbinë”, raporton Insajderi.

Asociacioni është edhe kërkesa kryesor e BE-së karshi Kosovës. Madje, deklarimet e tyre të vazhdueshme kanë qenë që më në fund shteti i Kosovës, duhet ta implementojë këtë marrëveshje.

E, për themelimin e Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, ka reaguar vazhdimisht edhe Beogradi zyrtar. Ata kanë kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare që të bëjnë presion ndaj Kosovës për themelimin e saj./Insajderi.com