Haradinaj do heqjen e doganave mes Kosovës e Shqipërisë

Haradinaj do heqjen e doganave mes Kosovës e Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se duhet të lehtësohet qarkullimi njerëzve dhe i mallrave në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ne kemi një pikë kalimi kufitar që në raste të caktuara ka radhë. Është e pakuptimë që një qytetar që vjen nga Shqipëria, Tirana për në Shqipëri që të presë aty në kufi”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për syri.net.

“Është diçka që mund ta zgjidhim. Ose bëjmë 100 kalime që të mos presin, ose kalojmë në një sistem tjetër, si kamera dhe veç kur ka dyshime mund të ndalohet”, është shprehur ai.

“Mund të bëjmë disa veprime të tilla, sepse në gjithë botën është ulur kontrolli. Jam i interesuar për të bërë këtë”, ka theksuar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për takimin e parë me homologun e tij në Shqipëri, Edi Rama.

“Takimi nuk është i dy qeverive edhe pse unë do të marr disa ministra sepse dua të diskutojmë tema. Ky është një takim i parë mes kryeministrit të ri të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka treguar ai.

“Një mbledhje mes dy qeverive është paralajmëruar për në datën 27 nëntor. Ishte ministri i Jashtëm, Pacolli që i ka nisur përgatitjet. Jemi për një mbledhje të përbashkët. Por jemi të interesuar që kur të bëhet kjo mbledhje të kemi disa rezultate reale që ndikojnë në qarkullimin e njerëzve e të mallrave, por edhe më shumë se kaq, se jemi shqiptar”, ka theksuar Haradinaj.