Haradinaj i gatshëm ta votojë ligjin e propozuar nga presidenti për FSK-në

05.03.2017 18:57
Haradinaj i gatshëm ta votojë ligjin e propozuar nga presidenti për FSK-në

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Daut Haradinaj, ka thënë se projektligji për FSK-në i hartuar nga presidenti Thaçi në bashkëpunim me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës shumë shpejt mund procedohet dhe kalojë në Kuvend. Por, për tu bërë ky hap, Haradinaj thotë se Thaçi duhet ta ketë thënë seriozisht këtë punë.

Haradinaj ka thënë se është hera e tretë që Hashim Thaçi deklarohet për themelimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Ai thotë se nëse presidenti Thaçi kësaj radhe do ta mbajë fjalën për themelimin e ushtrisë, atëherë ai do t’i dal në krahë atij për këtë çështje.

Sipas Haradinajt, projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës është real dhe nuk beson se mund të ketë ndonjë shkelje.

“Presidenti uroj ta ketë seriozisht kësaj radhe, nëse e ka pernjëmend këtë punë, mua më ka të gatshëm. Ky ligj është real, nëse ka seriozitet nuk ka ndonjë shkelje. Shpresoj që Presidenti t’i ketë seriozisht këto fjalë e jo që ta dëgjojë për herën e tretë duke i thënë fjalët e njëjta. Kurdo që presidenti është i gatshëm ta procedoj ligjin, unë jam i gatshëm që ta inicioj”, ka thënë Haradinaj për Express.

Tutje ai është shprehur se themelimi i FSK-së në ushtri të Kosovës nuk duhet të paraqesë rrezik për askënd.

“Ne jemi shtet i pavarur, jemi partner me ndërkombëtarët, nuk besoj që themelimi i ushtrisë paraqet rrezik për ndokënd”, ka thënë ai.