Haradinaj flet për “defetistët” dhe “Kosovën futuriste”

Haradinaj flet për “defetistët” dhe “Kosovën futuriste”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj ka thënë se të mposhturit e zgjedhjeve të 11 qershorit po ngrisin teza imagjinare të një krize politike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinja ka folur për “defetistët”, të cilët sipas tij po ngrisin teza për një krizë që e ka përfshirë Kosovën pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Ai ka thënë se “ky është një mashtrim ordiner”.

“Defetistët janë ngutur edhe këtë herë për të lansuar lloj lloj tezash për një farë krize imagjinare politike. Ato që i bluajnë në kokat e tyre, po mundohen t’ua mveshin të tjerëve, me shpresë se kështu mund ta ofrojnë veten si shpëtimtarë. Por ky është një mashtrim utopik ordiner”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se “përgjegjësia politike këtë herë është më e madhe se sa mashtrimi utopik, dhe shumë prej të zgjedhurve e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për eksperimente për njëfarë Kosovë futuriste”

I nominuari për kryeministër më tej ka thënë se për nuk mund të shkatërrohet vendi duke pretenduar të nisin gjërat nga e para.

“Ne do t’i mveshemi punës dhe do ta kthejmë mbar këtë vend, sepse problemet janë të mëdha dhe janë konkrete. Nuk mund ta shkatërrojmë vendin e t’ia nisim nga e para, për tekat e askujt”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka premtuar se Kosova “së shpejti” do ta ketë qeverinë e saj. /Insajderi.com