Hapet qendra e azilit për të mitur

26.11.2017 09:31
Hapet qendra e azilit për të mitur

Në Kriens, Kantoni i Lucernit është hapur të premten një qendër azili për refugjatë të mitur. Këtu pritet të strehohen 120 refugjatë fëmijë dhe të rinj, të cilët kanë paraqitur kërkesën për azil si të vetëm, pa shoqërim nga familja.

Në fjalën e tij të hapjes, kreu i Qeverisë së Kantonit të Lucernit, Guido Graf ka thënë se përkundër faktit se gjendja në sferën e azilit po përjeton një shtendosje, ngritja e kësaj qendre është një hap i qëlluar.

Gjatë ditëve në vijim pritet që në këtë qendër të vendosen 90 azilkërkues të moshës 14 deri 17 vjeçare. Shumë nga këta deri tash kanë qenë të vendosur në një motel në Kriens.

Sipas njoftimit të bërë nga Agjencia e Lajmeve SDA, këta fëmijë dhe të rinj janë kryesisht me prejardhje nga Eritrea, Etiopia, Afghanistani dhe Siria.

Qendra e azilit është ndërtuar gjatë nëntë muajve të fundit dhe ka kushtuar 6.8 milionë franga. Në këtë objekt të ri pritet të punojnë më shumë kujdestarë se sa në qendrat ku strehohen të rriturit. Kështu, në një qendër për fëmijë dhe adoleshentë, çfarë do të jetë kjo, parashihet që për 7 të strehuar të ketë një punëtror (kujdestar), ndërkohë që te të rriturit praktikohet nje i punësuar për 13 të strehuar.