Hapet konkursi për fotografi në ekspozitën ‘Europeana Collections’

Hapet konkursi për fotografi në ekspozitën ‘Europeana Collections’

Gjatë këtij viti Biblioteka Kombëtare mori pjesë në një nga projektet më interesante të Europeana-s (Portali europian digjital i bibliotekave kombëtare, muzeumeve etj), përmes ekspozitës me kartolina dhe fotografive të rralla nga Shqipëria. Kjo ekspozitë kishte si synim të vinte në dukje peisazhet, qytetet dhe krahinat përgjatë Europës jug-lindore, që nga fillimet e artit të fotografisë.

Tashmë, ky projekt synon të zhvillojë një kërkim të ri, atë të realitetit të sotëm të këtyre vendeve të fotografuar dikur.

Në rastin e konkurrentëve nga Shqipëria, duhen dërguar fotografi aktuale të pamjeve të hershme, përzgjedhur më parë nga BKSH: Pamje nga: Ura Mesi – Shkodër, Kopshti publik – Shkodër dhe Gjirokastër. Fotot nga Shqipëria duhen postuar vetëm në datat 24-31 gusht 2017.

“Për këtë konkurs duam të na dërgoni fotot tuaja më të mira me fokus peizazhe ose pikat e referimit. Kësaj here nuk pranohen imazhe që shfaqin njerëz. Fituesit do të marrin një pako aksesorësh për kamera smartfoni si dhe botimin e fotove të tyre në ekspozitën Picture This. Kandiduesit do të marrin çanta të thjeshta nga Europeana”, shkruan Biblioteka Kombëtare në faqen e saj, shkruan KultPlus.

Konkursi organizohet nga fondacioni Europeana, zyra e regjistrimit që gjendet në Prins Ëillem-Alexanderhof 5, 2595 BE Den Haag, Hollandë. “Ne i mirëpresim prurjet nga të gjithë ata që janë 16 vjeç e lart, me përjashtim të punonjësve të fondacionit Europeana, organizatave partnere pjesëmarrëse dhe të afërmve të tyre të ngushtë, ose gjithkush tjetër që ka lidhje me organizatën, ose është në komisionin vendimmarrës të konkursit. Konkursi është i lirë dhe falas.

Duke hyrë në këtë konkurs, pjesëmarrësit japin miratimin që krijimet e tyre të përdoren nga fondacioni Europeana, në lidhje me faqen ueb Koleksionet Europeana, faqen ueb të lidhur me të, përfshirë këtu por jo të kufizuar në botimin e saj në publik, përfshirjen në veprimtari promocionale, mediat sociale dhe vepra të tjera. Fondacioni Europeana nuk do të kërkojë të drejtat e autorit për prurjet fotografike. Duke hyrë në këtë konkurs, pjesëmarrësit bien dakord që fotot e tyre të licencohen nën CC BY-SA”, bën me dije Biblioteka. Secili mund të dërgojë vetëm një foto. Kushdo që dërgon më shumë se një foto ose një imazh që nuk plotëson kriteret e pranimit do të skualifikohet.