Hapave të liderit – Abrashi përsëritë historinë e Mustafës në ballafaqimet televizive

Hapave të liderit – Abrashi përsëritë historinë e Mustafës në ballafaqimet televizive

Arban Abrashi po e paraqet vetën si një figurë krejtësisht të re edhe për nga mosha por edhe për nga përvoja politike në LDK, teksa po garon për të parin e komunës së Prishtinës, por në fakt deri më tani, në aspektin e paraqitjeve publike, ai është duke shkuar hapave të liderit të partisë, Isa Mustafa.

Mustafa kishte humbur garën ndaj Shpend Ahmetit në Zgjedhjet Lokale të vitit 2013 dhe njëra nga kritikat më të mëdha publike drejtuar atij, përpos deklaratës se e fiton garën “me duar në gjepa” ishte edhe refuzimi i tij që të përballej direkt në debate televizione me kundërkandidatin Ahmeti.

Refuzimi i Isa Mustafës për tu ballafaquar ne debate televizive me Ahmetin kishte vazhduar gjatë tërë kohës së fushatës, derisa Mustafa dhe Ahmeti kishin shkuar në balotazh.

E kur balotazhi kishte ardhur, me 8 nëntor të vitit 2013, Mustafa doli në një duel me Ahmetin në televizionin publik. Ai ishte dueli i vetëm.

Por një duel të tillë, me Ahmetin, kandidati i ri i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ende nuk e ka pranuar.

Deri më tani Ahmeti ka thënë se ka konfirmuar katër debate ballafaqim me Arban Abrashin por dy prej tyre i ka anuluar vet Abrashi, fillimisht me arsyetimin se ka probleme me dhëmbë dhe ka pasur të bëjë një ndërhyrje.

Së fundmi, të mërkurën në mbrëmje, Abrashi nuk shkoi në televizionin Dukagjini, aty ku prej 1 nëntorit e kishte ftesën për pjesëmarrje. Abrashi tha se do të marrë pjesë në tri debate të tjera, por jo në ballafaqim me Ahmetin.

Mospjesëmarrja në ballafaqimet televizive me kundërkandidatin Ahmeti, ka shkaktuar shumë debat në rrjete sociale duke e komentuar këtë refuzim si një ikje nga ballafaqimi./Insajderi.com