Haliti thotë se Kuvendi nuk konstituohet nëse nuk zgjidhet Veseli

Haliti thotë se Kuvendi nuk konstituohet nëse nuk zgjidhet Veseli

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se PAN në seancën e radhës konstituive marrin pjesë vetëm nëse votohet kandidati i tyre për kryeparlamentar, Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetari i PDK’së.

I pyetur se çfarë ndodh nëse Vetëvendosje dhe koalicioni LAA nuk e votojnë Kadri Veselin për kryeparlamentar, Haliti ka qenë i prerë në përgjigjen e tij, ku tha se edhe Kushtetuta ua lejon që koalicioni fitues ta hedh në votim të serishëm postin e kryeparlamentarit.

“E hedhim në votim sërish. Sipas rregullave Kushtetuese, PAN-it nuk i kushtëzohet e drejta për kryetar të Kuvendit, për disa herë”, ka thënë nënkryetari i PDK-së dhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës në qeverisjen e kaluar, njofton Express.

Ai gjithashtu tha se ky është qëndrimi PAN-it, i cili nuk do të ndryshojë.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, neni 67 thotë se “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Megjithatë, vazhdimi i seancës së sotme Konstituive është ndërpretë nga kryesuesi, Adem Mikullovci, për shkak se në sallë mungonte koalicioni fitues, PAN.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherit kandidati i PAN’it, për kryeministër të vendit, Ramush Haradinaj ka thënë më 4 gusht se kryeparlamentari i takon këtij koalicioni dhe s’ka alternativë tjetër, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se VV dhe LDK janë duke bërë gabim që po e bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.