Haliti pranon se koalicioni nuk i ka votat për demarkacionin

Haliti pranon se koalicioni nuk i ka votat për demarkacionin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili njëherësh është anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se koalicioni qeveritar PDK -LDK nuk i ka votat e mjaftueshme për të votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Por, sipas tij, dështimi për të votuar këtë marrëveshje do të shkaktojë pasoja për Kosovën.

Në një intervistë për televizionin publik, ai ka thënë se duhet një ndërhyrje e bashkësisë ndërkombëtare duke shtuar se Mali i Zi është në  NATO dhe kushdo që e cenon është në problem me NATO-n.

Ratifikimi i marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi është kushti kryesor për liberalizimin e vizave për Kosovën.  Megjithëse marrëveshja është nënshkruar afër një vit më herët, ajo ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës për shkak të kundërshtimit të partive opozitare por edhe dilemave brenda koalicionit qeverisës.

Derisa LDK insiston se demarkacioni me Malin e Zi nuk e ka cenuar territorin e Kosovës, disa përfaqësues të PDK-së thonë se marrëveshja është e dëmshme për vendin.  Por, deri më tani PDK ende nuk ka dalë më një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje./Insajderi.com