Haliti: Jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi

Haliti: Jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi

Xhavit Haliti thotë ka bërë shumë “luftë” për të mos u vrarë e për të mos u marrë peng Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në kohën e luftës.

“Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë”, ka thënë Haliti në “Rubikon” të KTV-së.

“Madje, ka pas një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodh ajo vrasje në Kukës”, ka thënë Haliti, teksa ka përmendur edhe emrat e Kudusi Lames e Fatos Klosit si të përfshirë në përgatitjen e të gjithë logjistikës për të pamundësuar vrasjen e Bukoshit.

Haliti ka thënë se asnjë oficer ushtarak s’ka hyrë në Kosovë si Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës (FARK), shkruan Koha.net.

“Si FARK s’kanë hy kurrë në Kosovë. Ata mund ta kenë pasur plane tjera. Ahmeti ka kërkuar që oficerët t’i orientoj unë dhe t’i çoj në Kosovë dhe me iu dhënë brigadat t’i drejtojnë. Unë s’e kam pas atë fuqi. S’kam mundur me i thënë çoje filanin me e drejtuar një brigadë, kur ajo brigadë e ka pas komandantin e vet. Ne jemi marrë vesh edhe në shtab të përgjithshëm që oficerët të vijnë në Kosovë e që shtabi i përgjithshëm i emëron në cilën brigadë të shkojnë e në detyra të veçanta qysh ka ndodh me shumicën e atyre që kanë ardhur në Kosovë për të luftuar”, ka thënë Haliti.

Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

Gjithë meritat për çlirimin e vendit, Xhavit Haliti, ia ka atribuuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka thënë kështu duke arsyetuar atë se çështja e shpenzimit të parave duhet të jetë sekret i kësaj periudhe.

“Ne e kemi çliruar Kosovën. Ti do të flisje serbisht në një televizion po të mos ishte UÇK-ja. Po të mos ishte UÇK-ja nuk do të kishte liri në Kosovë. Çlirimi ka ardhur prej UÇK-së, e jo prej lutjeve të mëngjesit”, ka thënë ai.