Haliti e kishte quajtur të sëmurë psikik Murat Jasharin

Haliti e kishte quajtur të sëmurë psikik Murat Jasharin

510 pyetje i kishte parashtruar Murat Jashari Xhavit Halitit, 5 vite më parë. Përgjigja e vetme që kishte marrë nga Haliti ishte “i sëmurë psikik”. Jashari, sot është arrestuar për tentim vrasjen e Azem Vllasit.

Vllasi, pak pas atentatit, tha se qitësi nuk ishte me probleme mendore, por e organizoi vrasjen që mbeti në tentativë.

Vëllai i Ismet Jasharit i njohur si komandantit ‘Kumanova’, Murat Jashari përmes një letre publike, gushtin e vitit 2012 ia kishte parashtruar 510 pyetje deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti. Ato kishin të bënin me periudhën e para dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Madje, në fund të letrës Jashari ‘kërcënonte’ Halitin, duke i kujtuar se fëmijët e dëshmorëve dhe luftetarëve të burgosur, që sipas Jasharit u anatemuan nga Haliti dhe të tjerët, janë duke u rritur, njofton Express.

“Të gjithë janë bë Avni Rrustema e Nora Kelmendi, këtë fiksojeni mirë. Unë me këtë pyetësor kam paraqitur vetëm 5% të bëmat tuaja me & Co, shkruante në fund të letrës me pytje të tilla si ‘Ku ishe më 3 Nëntor 1985? A e din se si erdhi deri te dekonspirimi i rradhëve të organizuara të OMLK-së dhe nga kush ka filluar ai? Sa anëtarë të OMLK-së ka pasur celula jonë? Sa CHF i grumbullojshe gjithësejt në një muaj? Po në vit?”, e shumë e shumë të tjera.

Por, përgjigja e vetme që, sot i dyshuari kryesor për tentim vrasjen e Azem Vllasit që ndodhi të hënën në Prishtinë, kishte marrë nga deputeti i PDK-së ishte “i sëmurë psikik”.

“Murati është i sëmurë psikik dhe ata që ia kanë shkruar pyetjet duhet të japin përgjigje. Dikush qëndron prapa tij sepse Murati as që din të shkruajë por nuk e di se kush”, kishte deklaruar Haliti në një intervistë.

Jashari pyetje të ngjashme për vite të tëra ka adresuar edhe tek presidenti Hashim Thaçi, e të dikur figura kryesore e PDK-së, sot kryetar i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Murat Jashari të hënën është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar kryesorë për tentim-vrasjen e Azem Vllasit, që ndodhi mëngjesin e të njëjtës ditë, në zyrën e avokaturës të ish-liderit komunist në Prishtinë.

Bashkë me Jasharin, për bashkëkryerje të plagosjes së Vllasit u arrestua edhe Avni Llumnica, vëllai i dëshmorit Nexhmi Llumnica.