Halimi i çuditur nga stërvitjet në përfaqësuese: Kishte lopë në fushë

Halimi i çuditur nga stërvitjet në përfaqësuese: Kishte lopë në fushë

Besar Halimi ka shpërfaqur një çudi rreth futbollit të Kosovës, nga periudha kur po stërvitej në një nga stadiumet kosovare me përfaqësuesen.

“Sapo dolëm nga dhoma e zhveshjes dhe shkuam në fushën e stërvitjes, kishte lopë në fushë”, deklaroi Halimi për mediumin e njohur të internetit, Goal.com. Halimi filloi ta tregoi këtë ngjarje kur u pyet se “cila ishte ngjarja më e çmendur që i ka ndodhur me përfaqësuesen e Kosovës?“. 

“Pra, para se të fillonim stërvitjen, duhej ti hiqnim lopët nga fusha”, rrëfeu mesfushori kosovar, teksa qeshte me ngjarjen që po e tregonte, raporton Goal.

Po ashtu, ai tregoi edhe një problem tjetër me të cilin ballafaqohet futbolli i Kosovës: me mungesën e infrastrukturës elementare.

“Ndonjëherë rrjetat e portës ishin aq të shqyera saqë i hiqnim xhamperët dhe i lidhnim rrjetat në mënyrë që topi të mos fluturonte 30 metra larg. Sidomos për djemtë që vijnë nga Gjermania apo Zvicra, kjo ka qenë diçka e pazakontë dhe e çmendur”, ka thënë Besar Halimi.

Në intervistën me Goal.com, në versionin gjerman të saj, Halimi foli edhe për karrierën e tij dhe të ardhmen.

“Trajneri Alexander Zorniger ishte një nga arsyet kryesore për të ardhur unë tek Brondby. Brondby më ka dhënë mundësinë për të luftuar për titull të kampionit”, u shpreh Halimi.

Gjilanasi për herë të parë në karrierën e tij luajti jashtë Gjermanisë dhe është befasuar me pritjen që iu është bërë në Danimarkë.

“Nuk jam i befasuar me lojën time pasi e di se çfarë mund të bëj në ndeshje dhe besoj në lojën time”.

“Brondby është stacioni i parë për mua jashtë Gjermanisë, kësisoj që mu desh të adaptohem në fillim. Njerëzit në Danimarkë më kanë bërë më të lehtë këtë zgjedhje, pasi kuptova që kam ardhur te një klub i madh me struktura të mira”, vazhdoi tutje mesfushori ofensiv.